Lëvizja kurde, PKK ka shpallur armëpushimin pas thirrjes së liderit të saj, Abdullah Ocalan.

Komiteti Ekzekutiv i organizatës ka pranuar këtë urdhër dhe ka deklaruar se do ta zbatojë atë, shkruan france24.


Në një deklaratë urgjente, Komiteti Ekzekutiv i PKK-së ka bërë të ditur se pajtohet me përmbajtjen e thirrjes së Ocalanit dhe do të respektojë kërkesat e saj.

"Ne i përmbahemi thirrjes së Ocalanit dhe shpallim armëpushim. Do t’i bindemi kësaj thirrjeje, por çështje si çarmatosja mund të realizohen vetëm nën udhëheqjen praktike të Ocalanit", thuhet në deklaratë.

Komiteti Ekzekutiv i PKK-së ka përmendur disa pika kyçe:

- Si PKK, pajtohemi me përmbajtjen e thirrjes dhe shpallim armëpushimin duke filluar nga sot.
- Megjithëse do të zbatojmë kërkesat e thirrjes, theksojmë se për suksesin e këtij procesi duhet të zbatohen politika demokratike dhe baza ligjore.
- Për të hapur rrugën për implementimin e thirrjes për paqe dhe një shoqëri demokratike, ne shpallim armëpushimin nga sot.

Në thirrjen e tij të mëparshme, Ocalan theksoi se PKK-ja ka humbur kuptimin e ekzistencës së saj për shkak të faktorëve të brendshëm, rënies së socializmit real në vitet 1990, ndryshimeve në politikën e identitetit në Turqi dhe përparimeve në lirinë e shprehjes.

Për këtë arsye, ai deklaroi se tani ka ardhur koha për shpërbërjen e organizatës.

Ocalan, i cili është 75 vjeç, ndodhet në burg në ishullin Imrali që nga viti 1999, pasi u dënua për tradhti. Pavarësisht izolimit shumëvjeçar, ai vazhdon të ketë ndikim të madh në PKK. /Telegrafi/