Moldavja tenton disa herë të vrasë me helm miu bashkëshortin shqiptar
Mediat italiane, që përcjellin lajmin, thonë se nga analizat rezultoi se në gjakun e 54-vjeçarit kishte gjurmë të Bromadiolone dhe Coumatetralyl, elementë kimikë që gjenden në këtë helm.
Por dyshimet nuk lindën nga bashkëshorti. Në muajt e shkuar në fakt ishte shtruar disa herë në spitalin e Riminit, thuajse gjithmonë me të njëjtat simptoma.
Kur u paraqit për të disatën herë në spital, ekipi mjekësor vendosi që të zbulonte më shumë për shkakun, duke kërkuar analiza që konfirmuan se ai ishte helmuar. Në këtë pikë, mjekët krahasuan analizat me herët e mëparshme që ishte shtruar dhe kuptuan se çdo herë që 54-vjeçari ishte shtruar në spital, kishte qenë sepse kishte marrë doza të substancës vdekjeprurëse.
Në panoramë e qartë që çoi në denoncimin e gruas, deri në arrestimin e saj pas hetimeve të Prokurorisë së Riminit.
Arrestimi i saj ndodhi më 28 Qershor, më pas u la në arrest shtëpie në banesën e së ëmës. Arrestimi erdhi edhe pas dëshmisë së bashkëshortit shqiptar i cili u tha hetuesve se i vetmi person që mund t’i helmonte ushqimin ishte bashkëshortja e tij. Në shtëpinë e çiftit, autoritetet gjetën edhe një shiringë me substancë të dyshuar helm, por që është dërguar për ekspertizë.
Vetë 46-vjeçarja, përmes avokatit, i ka mohuar akuzat./TV Klan






























