LAJMI I FUNDIT:

Mjekimi i COVID-19 me plazmën e të shëruarit

Mjekimi i COVID-19 me plazmën e të shëruarit

Mjekimi me plazmën konvalescente mbetet alternativë e vetme e një vaksine në pritje. Kjo mund të bëhet edhe tek ne ku janë të gjitha kushtet në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut

Dr. sci. Hakif Hoxha
transfuziolog-imunohematolog
tel. 044/049 186 348
e-mail: hakifhoxha@live.com


Virusi SARS-COV 2 apo coronavirus është shkaktari i pandemisë aktuale që ka përfshi mbarë globin. Ky virus si duket parazitonte te disa specie tjera si lakuriq, gjarpërinj, etj., dhe pas një mutacioni futet në organizmin e njeriut si patogjen, duke shkaktuar një patologji të ngjashme me gripin, të cilën rreth 80% e të sëmurëve e kalojnë pa komplikime. Rreth 20% e kanë të prekur fort gjendjen e përgjithshme, ku 5% përfundojnë me oksigjenoterapi apo respirator (frymëmarrje përmes aparatit i cili rritë shanset për mbijetesë në 50%).

Si virus i ri që është ende nuk ka vaksinë, të shpresojmë të zbulohet brenda vitit . Mjekimi është simptomatik; temperaturë, kollë, dhembje, etj. Antibiotikët nuk kanë efekt, ndërsa antiviralet shumë pa,k që dmth se mjekësia është e kufizuar në luftë kundër viruseve. Megjithatë njeriu si specie dominante në këtë planet edhe këtu e ka treguar veten në luftë me mikroorganizmat; i ka mundur dhe do t’i mund edhe viruset. Kjo luftë bëhet përmes imunizimit apo imunitetit.

Imunizimi është aktiv dhe pasiv. Te imunizimi aktiv mikroorganizmi futet me rrugë natyrale (sëmundjet) dhe qëllimshëm (vaksinimi). Te rruga natyrale e infektimit virusi futet në organizëm, provokon sistemin tonë imunologjik me reaksion mbrojtës specifik përmes limfociteve (lloj i rruazave të bardha-leukocite).

Brenda javës pas infektimit, limfocitet prodhojnë disa strukturave proteinike – antitrupa që lidhen në mënyrë specifike vetëm për këtë virus. Zhvillohet lufta në mes virusit i cili tenton ta shumëzojë veten në qelizat tona duke i shkatërruar ato, dhe, leukociteve (limfociteve), që poashtu, tentojnë ta neutralizojnë virusin e t’i mbrojnë qelizat tona.

Prej këtij raporti varet gjendja klinike e pacientit. Limfocitet do të viktimizohen, zvogëlohet numri i tyre-limfopenia. Antitrupat lidhen për virus, kështu targetohen dhe neutralizohen përmes një mekanizmi mjaftë kompleks. Në luftë janë edhe një lloj tjetër i limfociteve T, të cilat me kontakt direkt e shkatërrojnë qelizën që ka virusin brenda.

Me zhvillimin e sëmundjes rritet sasia apo titri i këtyre antitrupave, të cilët qarkullojnë në gjak e ne mund t’i gjejmë në plazme apo serum. Kësisoj vepron edhe vaksinimi. Ky është imunizimi aktiv.

Te imunizimi pasiv, antitrupat specifik për ndonjë virus apo baktere, i jepen pacientit të gatshme, pasiqë të janë nxjerrë nga gjaku i një personi tjetër të shëruar nga po ky virus. Këtë ide i pari e aplikoi në vitin 1890 Elin fon Bering kundër difterisë e për këtë, ai mori Nobelin e parë për mjekësi më 1901, në luftimin e difterisë dhe tetanusit. Kjo praktikë u aplikua në gripin e Spanjës më 1918, ebola 2014, kur e zvogëloi vdekshmërinë për 30%.

Tani me lajmërimin e coronavirusit, mjekët kinez në mungesë të terapisë specifike u detyruan ta aplikojnë edhe te covid 19. Ata vërejtën se gjendja e pacientëve është përmirësuar dukshëm brenda 24 orëve; është zvogëluar ndezja e mushkërive, e me ketë është përmirësuar oksigjenimi te pacienti dhe shkurtohen ditët e qëndrimit në spital. (JAMA.2020.4783) .

Kur dhe ku aplikohet ky lloj mjekimi?

Meqenëse aplikimi i gjakut apo plazmës bartë me vete rrezik të madh nga inkompatibiliteti e sidomos nga përcjellja e agjentëve infektiv prej donatorit te pacienti, mjekimi me plazmë konvalescente (plazma e të shëruarit), nuk bëhet për parandalim, por mbetet si mjeti i fundit terapeutik te pacientët në gjendje kritike.

Si aplikohet mjekimi me plazmën konvalescente?

Personi i shëruar tani dhuruesi i plazmës, së pari duhet ta marri veten mirë. Titri maksimal i antitrupave arrihet 28 ditë pas infektimit. Pas 2 javësh nga dalja prej spitalit i nënshtrohet ekzaminimit që t’i plotësojë kriteret për dhurim të gjakut.

Këtu dalin disa problem më shumë te natyrës ligjore, varësisht prej kritereve apo standardeve që i kane vendet e ndryshme të botës, për dhurimin e gjakut dhe komponentëve të tij. Psh. Nëse ka marrë gjak gjatë mjekimit etj. Bëhen testime për sëmundjet transmetuese (HIV, HCV, HBV, CMV), grupit të gjakut etj. Normalisht edhe njëherë bëhet testi për coronavirus.

Nëse i plotëson kriteret e dhurimit të gjakut, prej donatorit tani përmes një aparati- afereza, nxirren rreth 500 ml plazmë të gjakut, e cila pastaj ndahet ne dy doza dhe i jepet të sëmurit sikurse transfuzioni i gjakut në bazë të grupeve të gjakut, brenda 3-5 ditëve.

Kjo metodë ka treguar rezultate të mira tek kinezet e tani kanë filluar edhe të tjerët, edhepse është në hulumtim e sipër. Edhe amerikanët nën trysninë e urgjencës u detyruan ta lejojnë aplikim e plazmës konvalescente (FDA, 24.03.2020) .

Shkenca po mundohet me i ndarë vetëm antitrupat për t’i aplikuar si preparat i pastër, por kjo i mbetet të së ardhmes. Kjo është një zgjedhje me shumë dilema por e detyrueshme, meqenëse nuk ka ende ilaç specifik, as vaksinë, e cila po pritet në vitin tjetër.

Kjo mund të bëhet edhe tek ne ku janë të gjitha kushtet në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ).

Këtë metodë e favorizon edhe fakti se prej këtij virusi më shumë preket mosha e mesme, të cilët pas 2 javësh nga shërimi mund të japin plazmën. Dhuruesi i plazmës nuk humbë asgjë sepse këta antitrupa së shpejti do të kompensohen, por edhe nuk i nevojiten më dhuruesit derisa nuk vjen në kontakt të sërishëm me virusin e për të sëmurin, kjo është dhurim i jetës.

Në mungesë të një vaksine dhe ilaçeve efikase, përdorimi i kësaj plazme është mënyra më efektive për të trajtuar infeksionin dhe mund të zvogëlojë ndjeshëm numrin e vdekjeve.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë e ka renditur plazmën midis masave të trajtimit për pacientët me gjendje kritike në udhëzimin e fundit të trajtimit të Covid-19. Italianët, poashtu kanë udhëzuesin për kriteret dhe mënyrën e aplikimit të kësaj plazme. (https://clinicaltrials.gov/ct2/show/NCT04321421).

Nëse i marrim parasysh mundësitë e kufizuara të sistemit tonë të rrënuar shëndetësor si dhe gjendjen aktuale ku po dështojnë shumica e vendeve të zhvilluara, që t’u sigurohet njerëzve një mjekim apo vdekje e dinjitetshme, duhet të mendohet për këtë metodë mjekimi, e cila, nuk kërkon investime dhe shpenzime shumë të mëdha, por pak dije dhe pak guxim.

Mjekimi me plazmën konvalescente mbetet alternativë e vetme e një vaksine në pritje. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ushqimet që përmbajnë vitaminë D

Ushqimet që përmbajnë vitaminë D

Shëndetësi
Kalo në kategori