Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për debatin e krijuar pas deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në lidhje me origjinën e grekëve.

Në një intervistë për një televizion grek mëngjesin e së shtunës, Mitsotakis u pyet edhe lidhur me batutat e shkëmbyera nga Rama në Abu Dhabi me gazetarin amerikano-grek John Defterios, raporton euronews.al.


“E njoh atë prej shumë vitesh dhe është një politikan me një mënyrë të veçantë shprehjeje, shpesh thotë gjëra që nuk duhet t’i thotë. Këtë herë bëri një gabim, të cilin megjithatë e kuptoi dhe e korrigjoi”, tha Mitsotakis.

Kryeministri Edi Rama shkaktoi reagime të shumta pas deklaratave të tij në konferencën e dy ditëve më parë në Abu Dhabi ku shkëmbeu batuta me moderatorin amerikano-grek, John Defterios dhe la të kuptohet se grekët nuk janë pasardhës të Aristotelit dhe Platonit.

Shumë media greke raportuan lidhur me këtë deklaratë të Ramës.

Ndër mediat që shkruan lidhur me deklaratën e kryeministrit është edhe “Skai.gr” e cila e cilësuan Ramën provokues.

“Rama provokues: Grekët nuk janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Aristotelit”, është titulluar artikulli i shkruar nga Skai.