Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi, ka funksionalizuar Shërbimin Geriatrik, duke ofruar kujdes shëndetësor shtëpiak për qytetarët mbi moshën 65 vjeç.

Ky shërbim vjen në kuadër të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore primare dhe synon të lehtësojë qasjen e të moshuarve në trajtime mjekësore, pa pasur nevojë për paraqitje të shpeshta në institucionet shëndetësore.


Sipas njoftimit, përfitues të këtij shërbimi janë të gjithë qytetarët mbi 65 vjeç që kanë nevojë për kujdes në shtëpi, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje kronike si hipertensioni dhe diabeti, probleme kardiake, osteoporoza dhe vështirësi në lëvizje, si dhe sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri, Parkinsoni dhe demenca.

Shërbimi Geriatrik përfshin një gamë të gjerë trajtimesh, përfshirë dhënien e terapisë intravenoze dhe infuzioneve të përshkruara nga mjekët specialistë, injeksione intramuskulare dhe subkutane, kateterizim urinar, si dhe pastrimin dhe trajtimin e plagëve dhe dekubitit sipas nevojës.

Ky shërbim ofrohet gjatë ditëve të punës, nga e hëna deri të premten, në intervalin kohor nga ora 07:00 deri në 15:00, ndërsa qytetarët mund të kontaktojnë përmes numrit të telefonit për të përfituar nga kjo mbështetje shëndetësore.

Me këtë iniciativë, Komuna e Mitrovicës synon të rrisë cilësinë e jetesës për të moshuarit dhe të sigurojë kujdes më të afërt dhe më të vazhdueshëm për këtë kategori të qytetarëve. /Telegrafi/