Zgjedhjet e 12 tetorit, OSBE: Sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është thelbësor

Pas mosakreditimit të mediave në gjuhën serbe për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025 ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së, i cili ka shprehur zhgënjim të thellë lidhur me këtë vendim që ka marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Misionit, zgjedhjet e lira, të drejta dhe transparente varen nga qasja e hapur dhe e barabartë për të gjitha mediat për të vëzhguar, raportuar dhe informuar publikun mbi zhvillimet zgjedhore.
“Kufizimi i akreditimit të mediave mbi bazën e përkatësisë së perceptuar komunitare, gjuhësore apo redaksionale kufizon aftësinë e gazetarëve për të kryer detyrat e tyre profesionale. Qasja në informacion në gjuhët e komuniteteve përbën një aspekt themelor të kuadrit shumetnik dhe demokratik të Kosovës” – thuhet në reagimin e Misionit të OSBE-së në Facebook.
Misioni vlerëson se sigurimi i mundësive të barabarta për të gjitha mediat është thelbësor për ruajtjen e besimit publik në procesin zgjedhor, për të shmangur perceptimin e praktikave diskriminuese dhe për të mbështetur pjesëmarrjen e informuar të të gjitha komuniteteve.
“Misioni mbetet i përkushtuar në promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, pluralizmit mediatik dhe qasjes së barabartë në informacion për të gjitha komunitetet, në përputhje me parimet e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare. Ai u bën thirrje partive politike që të respektojnë këto vlera.” – ka theksuar Misioni i OSBE-së.
KQZ publikoi njoftimin për akreditimin e përfaqësuesve të mediave për zgjedhjet lokale 2025.
Në këtë njoftim të KQZ-së, krahas 573 përfaqësueve të mediave për ditën e zgjedhjeve, më 12.20.2025, nuk janë akredituar mediat në gjuhën serbe.
Mediat që nuk u akredituan në mbledhjen e KQZ-së më 09.10.2025 janë: VIM INFO DOO; RTV PULS D.O.O; TV Most DOO; Kontakt Kosovska Mitrovica/Kontakt; Plus radio; PRVA TV, Beograd; Raporto24.com; Radio Kim; Radio-televizija Srbije; Tanjug novinska agencija; GracanicaOnline.info; TV Gracanica; Vendi Sot; Mitropol Media Sh.P.K.; Mondo INC d.o.o. / Kurir televizija; Insajder televizija; Nina Media Kliping; Rtv Vojvodina; MTVA – Državna Mađarska Televizija; Radio KM; Alternativna; TV Herc; Expose Media; RTV Slovenija, dopisništvo za Balkan, Beograd; Lekë Musolli B.I.; VideoPlus doo; E Perditshmja BotaSote Re; Nova.rs Beograd, Srbija; Medija centar Caglavica; Danas; R Media L.L.C.
Mosakreditimin e mediave serbe e kundërshtoi përmes një reagimi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
“Ascoiacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është thellësisht i shqetësuar me vendimin e paprecedent të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos akredituar asnjë media në gjuhën serbe për përcjelljen e zgjedhjeve të 12 tetorit. Kërkesat për akreditim si vëzhgues të dhjetëra mediave në gjuhën serbe nga Kosova, janë refuzuar në bllok gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së.” – thuhet në reagimin e AGK-së, më 09.10.2025.



















































