Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe këshilltari amerikan, Derek Chollet të premten kanë zhvilluar një bisedë telefonike, ndërsa kanë biseduar për dialogun Kosovë-Serbi dhe propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Chollet, përmes një postimin në Twitter, ka thënë se SHBA-të mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së.


“Kam folur sot me kryeministrin Albin Kurti. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dy vendet”, ka shkruar Chollet, transmeton Telegrafi.

Derek Chollet dhe Gabriel Escobar foto Ridvan Slivova 1 Këshilltari amerikan, Derek Chollet gjatë vizitës së tij në Prishtinë

Ndërkaq, pas bisedës së Kurtit me Chollet ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori i SHBA-ve theksoi se propozimi i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm për Kosovën dhe SHBA-të mbështetësin këtë propozim.

Hovenier këtë koment e ka bërë duke reaguar në një Twitter të këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili tregoi se sot ka folur me kryeministrin Albin Kurti.

“Ne do të mbështesim plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së. Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Hovenier, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka qëndruar më 11 janar të këtij viti në Kosovë, ku është takuar me krerët e shtetit.

Ai me këtë rast para gazetarëve tha se  Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, u shpreh ai.

Chollet shtoi se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike. /Telegrafi/