Historia e re madhështore e Mark B. Smithit, Dalja nga Stalini: Bashkimi Sovjetik si një qytetërim, 1953-1991, [Exit Stalin: The Soviet Union as a Civilization, 1953-1991] e zhvesh realitetin e jetës së përditshme gjatë spirales së vdekjes së Bashkimit Sovjetik

Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Për shumicën prej nesh në Perëndim, “Rusia” ishte sinonim i Bashkimit Sovjetik deri në rënien e Murit të Berlinit. Ndër 15 shtetet përbërëse të perandorisë komuniste, Rusia ishte gjithmonë ajo më e rëndësishmja. Ajo kishte kryeqytetin e BRSS-së, Moskën, dhe qytetin tjetër të madh, Leningradin (tani Shën Petersburg); ajo përbënte pjesën më të madhe të prodhimit ekonomik dhe industrial të këtij unioni.

Megjithatë, ajo nuk siguronte domosdo figurat udhëheqëse sovjetike. Stalini ishte gjeorgjian. Familja e Khrushchevit rridhte nga ajo që tani është Ukrainë dhe atje ai kaloi pjesën më të madhe të viteve të formimit. Pasaporta e Brezhnevit shënonte përkatësinë e tij etnike si “ukrainas”. Edhe pse Andropovi, Chernenko dhe Gorbachevi ishin të gjithë rusë, ata vinin nga pjesë aq të largëta dhe provinciale të perandorisë - Chernenko nga Siberia, dhe dy të tjerët nga Stavropoli buzë Kaukazit - saqë ata dhe figurat e tjera të Politbyrosë me prejardhje të ngjashme, klasifikohen nga historiani Mark B. Smith si “të jashtëm”. Dalja nga Stalini, libri i shkëlqyer i Smithit, është pjesërisht për mënyrën se si sovjetizmi përfundoi keqas - në mënyra të ndryshme - për shumicën prej tyre.

Stalini, me vdekjen e të cilit Smithi fillon veprën, ishte bërë figurë kulti e frikës dhe urrejtjes - ndonëse kjo mbeti e fshehur deri te fjalimi “sekret” i përcaktimit të epokës nga Khrushchevit në vitin 1956. Vetë Khrushchevi u shkarkua nga kolegët e tij në vitin 1964, por të paktën iu lejua të vdiste në shtrat shtatë vjet më vonë dhe nuk u dërgua me forcë në gulag. Forma e shtypjes e Brezhnevit ishte më e butë, të paktën brenda vendit - çekët në vitin 1968 do të kishin pikëpamje më pak dashamirëse - por, ai ishte teveqel shumë kohë para vdekjes së tij në vitin 1982. Pasuesit e tij, Andropovi dhe Chernenko, morën pushtetin si pleq të sëmurë dhe së bashku qëndruan në detyrë për pak më shumë se dy vjet. Gorbachevi, vetëm 54 vjeç kur mori pushtetin, arriti ta varrosë projektin sovjetik.

Joseph Stalin, lideri i Bashkimit Sovjetik në vitet 1924-1953(PhotoQuest/Getty Images)

Duke analizuar sundimin gjashtëvjeçar të Gorbachevit, tani duket si një epokë e artë përpara se BRSS-ja të shembej dhe klouni i dehur Yeltsin të bëhej presidenti i parë i Rusisë. Ky i fundit do të hapte rrugën për rikthim në tirani nën Putinin. Kjo është historia tragjike dhe Smith e tregon në mënyrë madhështore.

Megjithatë, Dalja nga Stalini nuk është thjesht një histori politike e një vendi që luftoi për dekada të tëra përpara se më në fund të fitonte vendin e vet si një nga dy superfuqitë botërore. Siç thotë nëntitulli i librit, është një studim i Bashkimit Sovjetik “si qytetërim”. Smithi përqendrohet te historia kulturore dhe shoqërore, duke u siguruar që ne ta kuptojmë gjendjen e zymtë në të cilën ekzistonin njerëzit dhe klimën e frikës në të cilën, edhe pas vitit 1956 dhe çlirimit nga fantazma e Stalinit, ata duhej të jetonin.

Për shembull, familjet e mëdha ishin grumbulluar në ndërtesa banimi të ndërtuara keq. Ndonjëherë atyre u duhej të paketoheshin në dy dhoma apo edhe të ndanin hapësirën me familje të tjera. Smithi shkruan për një aktore sovjetike e cila, duke u rritur në vitet 1950-1960, ndante një hapësirë dhe një banjë të vetme me 43 njerëz të tjerë. Disidentët u mbyllën në spitale psikiatrike, për asnjë arsye tjetër përveçse kishin guximin të dilnin dhe të protestonin. Disa, si Aleksandr Solzhenicini, u dërguan në gulag.

Gratë ruse mbërrijnë në Kishën e Ringjalljes në Moskë me kulaçe tradicionale të Pashkëve (1959)(Foto: Bettmann)

Nxënës rusë të veshur me versione në miniaturë të uniformave të Ushtrisë së Kuqe(Foto: Bettmann)

Vetëm në epokën e Brezhnevit, gjërat do të përmirësoheshin: Andrey Sakharov dhe gruaja e tij, Elena Bonner, u dërguan në internim të brendshëm në një apartament provincial. Dalja nga Stalini nuk na lë kurrë në një përshtypje tjetër përveç asaj se jeta në Bashkimin Sovjetik, qoftë sipas standardeve absolute apo krahasuese, ishte e tmerrshme, ndërsa ai e paraqet Stalinin, në veçanti, si dikë i cili për krimet e sundimit të tij dhe për hijen që la për dekada pas vdekjes së tij, meriton plotësisht të barazohet me Hitlerin.

Duke u përqendruar te jeta e përditshme e popullit sovjetik, yjet e tyre të muzikës pop, filmat që shikonin, qasja (ose mungesa) ndaj mallrave të konsumit dhe kushtet e tyre të zymta të jetesës, Smithi përshkruan një shoqëri jo aq në mes të një krize kolektive nervore - megjithëse aspekte të saj duket se mbizotëronin në ditët e fundit të perandorisë sovjetike - por, në mbërthimin e një sëmundjeje mendore kolektive dhe kronike.

Çdo gjë duhej të justifikohej në përputhje me revolucionin, megjithëse askush nuk ishte saktësisht i sigurt se çfarë nënkuptonte revolucioni. Vdekja e Stalinit, dhe fshirja e trashëgimisë së tij nga Khrushchevi, të paktën lejuan një relaksim të pjesshëm ndaj tmerrit për gulag, për internim apo ekzekutim të pafund të radhëve të të burgosurve politikë, dhe pranimin e disa shkallëve të modernizimit.

Kushte të zymta: Familje të mëdha ishin grumbulluar në ndërtesa banimi të ndërtuara keq (Kiev, 1955)(Foto: Renato Perez/Pictorial Parade/Archive Photos/Getty Images)

Radhët para hapjes së një dyqani ushqimor në Moskë, në nëntor të vitit 1983(Foto: Mikki Ansin/Getty Images)

Përparimi më i jashtëzakonshëm - dhe i tillë ishte efekti i tij rimoralizues mbi shoqërinë sovjetike, saqë Smith me të drejtë i jep atij theks të madh - ishte Yuri Gagarini si njeriu i parë në hapësirë në vitin 1961. Ishte një ngjarje që e vendosi këtë vend - përndryshe ende primitiv, brutal, të privuar, të egër - në vijën e parë të futurizmit.

Fakti që sovjetikët nuk e çuan gjithashtu njeriun e parë në Hënë, tregon se si natyra e shoqërisë së tyre e pengoi evolucionin e shpejtë dhe efektiv të teknologjisë. Sistemi i tyre arsimor prodhoi një numër të madh e të habitshëm matematikanësh të avancuar, por kontributi që këta të fundit mund të jepnin për të ardhmen u shtyp - deri në një farë mase për arsyen sepse autoritetet shqetësoheshin për faktin se shumica nga këta matematikanë gjenialë ishin hebrenj.

Brezhnevi, duke qeverisur nga 1964 deri në 1982, pati zgjuarsinë të fillonte të shqetësohej për opinionin ndërkombëtar mbi Bashkimin Sovjetik, dhe epoka e détente solli marrëveshjet e Helsinkit, përparim drejt kufizimit të armëve, dhe lidhjen në hapësirë të astronautëve amerikanë me kozmonautët sovjetikë. Por, reformimi i vërtetë ishte tepër i ngadaltë për të ardhur. Përtej kufijve sovjetikë, bota po ndryshonte me shpejtësi dhe, brenda tyre, më shumë qytetarë sovjetikë po fillonin të ndjenin mospëlqim për atë që ata e dinin se është jo vetëm si liri, por edhe standard më i lartë jetese i ekonomive të përçmuara kapitaliste.

Yuri Gagarin ishte njeriu i parë në hapësirë në vitin 1961, një moment që për pak kohë e vendosi Bashkimin Sovjetik në vijën e parë të futurizmitKredi: AFP nëpërmjet Getty Images

Ndryshimi u bë i pashmangshëm, dhe ndërrimi i gjeneratave drejt Gorbachevit e përshpejtoi atë. Ai studioi Leninin dhe tekste të tjera revolucionare, por hoqi dorë nga përpjekjet për t’i lidhur ato në mënyrë mekanike me botën. Kur forcat e sigurisë, për të cilat ishte përgjegjës, zbatuan metoda tradicionale brutaliteti ndaj kundërshtarëve të shtetit, Gorbachevi dënoi ashpërsinë. Këshilltarët e tij ekonomikë i thanë atij të lëvizte drejt një ekonomie tregu. Kjo nuk ishte thjesht një çështje e popullit sovjetik që donte më shumë liri: kishte mungesa ushqimi dhe dështime teknologjike, veçanërisht në prill të vitit 1986 në centralin bërthamor të Çernobilit. Jeta u rrezikua nga ngadalësia e qeverisë për ta pranuar katastrofën, në përputhje me mënyrën tradicionale sovjetike për të fshehur të vërtetat e pakëndshme. Modeli i vjetër ishte qartësisht i thyer.

Përshkrimi që i bën Smithi rënies kaotike dhe të shpejtë të atyre viteve të fundit, është i matur dhe interesant. Pavarësisht nëse ishte qëllimi i tij apo jo, Gorbachevi del si një figurë me madhështi të vërtetë. Sa i madh është dëshpërimi që trashëgimia e tij është shpërdoruar në mënyrën siç është tani. Ky libër jashtëzakonisht i rëndësishëm paraqet një histori të idealizmit që dështoi për shkak të mungesës së brendshme të lirisë, shtypjes dhe korrupsionit të tij. Tani duket se, të paktën në Rusi, historia është në procesin e përsëritjes së vetes. /Telegrafi/