LAJMI I FUNDIT:

Mirë se erdhët në botën e çuditshme të Rusisë së Putinit

Mirë se erdhët në botën e çuditshme të Rusisë së Putinit
Daniel Treisman

Nga: Daniel Treisman / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com

Një grup i mercenarëve merr një qytet të madh, rrëzon aeroplanë të shumtë dhe e drejton një kolonë të tankeve deri 125 milje në afërsi të Moskës, me qëllimin e deklaruar për ta rrëzuar ministrin e Mbrojtjes. Presidenti e fal shpejt dhe thotë se komandanti i tyre miliarder mund të tërhiqet, si i paprekur, për në Bjellorusi.

Një politikan opozitar udhëheq protestat paqësore dhe fushatat për zgjedhje të ndershme. I cilësuar si tradhtar dhe i ndjekur penalisht për “ekstremizëm”, tani i kalon ditët në një qeli të ndëshkimit, të cilit i mohohet edhe stilolapsi edhe letra.


Mirë se vini në pasqyrën e botës së çuditshme të Rusisë së Vladimir Putinit, ku gjithçka është e kundërta e saj dhe pothuajse asgjë nuk është ashtu siç duket.

Kjo mund të vlejë edhe për fatin ende të turbullt të kryengritësit të muajit të kaluar, Yevgeny Prigozhin – kreut të grupit Wagner. Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, fillimisht konfirmoi mbërritjen e tij në një bazë ajrore pranë Minskut, më 27 qershor. Por, më pas, më 6 korrik tha se mbreti mercenar në të vërtetë është në Shën Petersburg.

Edhe më e çuditshme, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov pretendoi se nuk e kishte asnjë ide për vendndodhjen e njeriut që sapo kishte tronditur regjimin. Kremlini nuk e kishte “as aftësinë dhe as dëshirën” për ta gjurmuar Prigozhinin, u tha ai gazetarëve.

Në kthesën e fundit befasuese, Peskovi të hënën pranoi se Prigozhini në të vërtetë ishte takuar me Putinin në Kremlin, më 29 qershor – vetëm disa ditë pas revoltës – dhe se presidenti ia kishte ofruar shefit të Wagnerit dhe njerëzve të tij “opsionet e mëtejshme për zbarkim”.

Teksa liderit rebel Putini i premtoi imunitet, do të ishte gjë e mençur që ai ende ta ruajë veten. Të tjerët që kapërcyen Kremlinin, më vonë iu nënshtruan helmeve të rralla ose pësuan “aksidente” misterioze.

Kryengritja e Prigozhinit dhe pasojat e saj që ende shpalosen, kanë nxjerrë në pah se sa mashtruese është bërë jeta publike e Rusisë. Për të kuptuar politikën e këtyre ditëve të Kremlinit, kjo punë e kërkon një poligraf.

Kur lideri i burgosur i opozitës, Alexey Navalny, dëgjoi për herë të parë për rebelimin e Prigozhinit, u duk gjë aq e pabesueshme saqë mendoi se ishte “një shaka ose një meme në internet”. I shkëputur plotësisht nga lajmet në qelinë e dënimit, mësoi për kryengritjen vetëm nga avokati i tij në gjykatë.

Të gjitha diktaturat i trafikojnë kontradiktat. Lufta është paqe, liria është skllavëri dhe injoranca është forcë, siç e dinë mirë lexuesit e Orwellit. Sloganet e Putinit kësaj liste mund t’ia shtojnë disa paradokse të tjera. Gënjeshtrat janë të vërteta. Iluzioni është realitet.

Në Rusinë e sotme, përhapja e informacionit “të rremë” për luftën – domethënë raportimi i saktë – dënohet deri në 15 vjet në një koloni penale. Nëse si aktivisti i guximshëm pro-demokracisë, Vladimir Kara-Murza, gjithashtu i akuzoni trupat ruse për krime lufte, rrezikoni të merrni edhe 10 shtesë – siç vendosi gjykatësi në rastin Kara-Murza.

Fjalimet e Putinit e krijojnë pasqyrën e realitetit. Teksa qytetarët në Rostov brohoritnin rebelët dhe kanë fyer policinë, presidenti këmbënguli se të gjithë ishin të rreshtuar pas tij dhe rendit kushtetues. Më vonë i falënderoi trupat dhe shërbimet e sigurisë për veprimin “në mënyrë të vendosur dhe të koordinuar”. Në fakt, ata pothuajse fare nuk vepruan.

Presidenti i Rusisë është gjithashtu i aftë për të mashtruar. Për të fshehur vendndodhjen e tij, thuhet se në shumë vende ka ndërtuar kopje të sakta të zyrës së tij në Kremlin. Kur TV e shfaq Putinin në Moskë, ai po ashtu mund të jetë në Soçi ose Valdai. Për të mos u gjurmuar nga radarët e fluturimit, ka nisur të udhëtojë me një vagon të fshehtë treni, siç ka treguar njëri që u largua nga shërbimi i tij i rojeve.

Mes të gjitha gënjeshtrave, akti më subversiv i Prigozhinit mund të ketë qenë jo marshimi i tij drejt Moskës, por momenti i tij i së vërtetës – në një video të publikuar pak para marshit. Në një fjalim të zjarrtë, i akuzoi i autoritetet ruse për përgatitjen e një preteksti për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022. “Më 24 shkurt, asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodhi”, tha ai.

Ishte i kujdesshëm që të mos e quante Putinin gënjeshtar. Por – hiç më mirë – e bëri të duket viktimë, i mashtruar nga gjeneralët e etur për medalje dhe nga oligarkët grabitqarë për të nisur një luftë të panevojshme që ka kushtuar me dhjetëra mijëra jetë rusë.

Edhe më keq për Kremlinin, pretendimi i Prigozhinit – që është nacionalist i guximshëm – duket mjaft i besueshëm për shumë rusë. Kjo mund të jetë arsyeja se pse në fillim Putini nuk e përdori forcën kundër tij. Në vend që të rrezikojë ta krijojë një martir për linjën e ashpër, duket se ka vendosur të fillojë me shkatërrimin e besueshmërisë së kryekomandantit.

Hetimet dhe rrjedhjet tashmë kanë filluar, me fotot e rezidencës luksoze të Prigozhinit që shfaqen në televizionin shtetëror. I pajisur me shufra ari, pasaporta të shumta, arka armësh, një dollap plot paruke dhe maskime të tjera, vendi është model i elegancës mafioze.

Në pasqyrën e kësaj bote të çuditshme, presidenti nuk ka kohë për politikë. Ai rrallë shfaqet në publik. Vizitorët shpeshherë duhet të futen në karantinë, për disa ditë përpara se ai të ulet me ta – dhe më pas, zakonisht në fund të një prej tavolinave të tij të famshme të gjata. I izoluar në dhomën e tij të jehonës që vet e ka ndërtuar, mbështetet në raportet nga shërbimet e tij të sigurisë – të njëjtat që parashikuan fitoren e shpejtë në Ukrainë dhe nuk arritën të parashikonin dhe parandalonin rebelimin e Prigozhinit.

Është shenjë se sa keq e tronditi Prigozhini, saqë Putini doli për një kohë të shkurtër nga zona e tij e rehatisë, pas kryengritjes, për të telegrafuar se ai ende e kishte kontrollin. Gjatë një vizite në Dagestan, personalisht iu afrua turmave dhe pozoi për selfie me admiruesit e vlerësuar me kujdes, duke puthur në mënyrë të turpshme një vajzë adoleshente në ballë. Kjo u pasua nga një vizitë qartazi e menduar në Kremlin, nga një vajzë tetëvjeçare, e cila iu bashkua presidentit të mirë në një telefonatë të çuditshme me ministrin rus të Financave. Askush nuk pret që Putini i ri miqësor të zgjasë shumë.

Politikani i vërtetë në Rusinë e sotme, pavarësisht nga të gjitha pengesat, është Alexey Navalny. Edhe nga burgu, e ka vazhduar fushatën dhe komentimin e ngjarjeve, duke bërë intervista dhe postime në mediat sociale, nëpërmjet avokatëve të tij.

Me një përzierje të humorit të milenalëve dhe ironisë popullore, u afrohet rusëve të zakonshëm me skenat nga jeta e burgut. Duke parë çmimet që rriteshin vitin e kaluar në dyqanin e burgut, simpatizoi pensionistët që luftonin me inflacionin. Për çdo festë, u dërgon përshëndetje mbështetësve dhe madje u bëri thirrje votuesve francezë, gjatë vitit të kaluar, që ta rizgjedhin presidentin Emmanuel Macron, në vend të Marine Le Penit që është miqësore ndaj Putinit.

Pas fillimit të luftës, Navalny ofroi një program prej 15 pikave për përfundimin e saj dhe për rindërtimin e një Rusie demokratike., Dhe tani, mes përballjes me akuzat e reja të prokurorëve, u ka bërë thirrje specialistëve të IT-së, sociologëve, donatorëve dhe vullnetarëve që të regjistrohen për një “fushatë të gjatë, kokëfortë, rraskapitëse, por thelbësisht të rëndësishme” për kthyer opinionin publik kundër luftës.

Mbetet për t’u parë nëse kjo do të rezultojë më efektive se fushatat e mëparshme të Navalnyt kur ai ishte në liri. Por, derisa realiteti fillon të kalojë përmes filtrit të Kremlinit, kjo mund të jetë kohë e duhur.

Putini duket gjithnjë e më pak i aftë për të zgjidhur sfidat para vetes. Pas pushtimit të Krimesë në vitin 2014, kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, e përshkroi Putinin se jetonte në “një botë tjetër”. Pyetja e hapur tani është nëse mund ta gjejë rrugën e kthimit. /Telegrafi/