Më pak se 24 orë nga ngjarja në bazën Camp Adazi në Letoni, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka udhëtoi drejt Rigës për të vizituar kontigjentin e 4-t, EOD e për t’u takuar me drejtues të bazës ku që prej vitit 2017, Shqipëria përfaqësohet me trupat e saj si pjesë e misionit të NATO-s “enhanced Forward Presence”.
Fillimisht ministrja Xhaçka vizitoi dy efektivët e plagosur, njëri prej të cilëve, major Klodian Tanushi, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin Riga East University Hospital. Ministrja e Mbrojtjes u takua me mjekët që po ndjekin me vëmendje maksimale gjendjen e major Tanushit.
Më pas, ministrja Xhaçka e shoqëruar nga gjeneralmajor Nazmi Cahani, përfaqësuesi ushtarak i Shqipërisë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel dhe atasheu ushtarak shqiptar kolonel Fadil Ciroku, mbërritën në bazën ushtarake Camp Adazi.
Në takimin me efektivët shqiptarë, ministrja e Mbrojtjes shprehu dhimbje për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, ku si pasojë e shpërthimit të municioneve të paplasura, gjatë kryerjes së detyrës, humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj e u plagosën major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj. /Telegrafi/