Ministria e Bujqësisë vazhdon realizimi i pagesave direkte për fermerët, rritje e subvencioneve në disa sektorë bujqësorë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka njoftuar se po vazhdon realizimi i pagesave për fermerët në kuadër të Programit të Pagesave Direkte.
Sipas njoftimit të ministrisë, gjatë këtij viti është shënuar një rritje e ndjeshme e numrit të aplikuesve, me mbi 3,000 fermerë më shumë krahasuar me vitin paraprak, çka ka ndikuar që një numër i vogël i pagesave të realizohen me vonesë.
Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë rritur pagesat për njësi përkrahjeje për disa kultura dhe sektorë bujqësorë. Në sektorin e blegtorisë, është shënuar rritje e numrit të lopëve qumështore për rreth 10,000 krerë krahasuar me vitin paraprak. Në pemëtari, subvencionet janë rritur nga 450 euro në 600 euro për hektar, ndërsa pagesat direkte për dele janë rritur nga 25 euro në 30 euro për krerë. Rritje është shënuar edhe në bletari, nga 20 euro në 25 euro për koshere, si dhe në akuakulturë, nga 0.20 euro për kilogram në 0.25 euro për kilogram.
Nga MBPZHR bëhet e ditur se këto rritje kanë ndikuar që buxheti i planifikuar për subvencione të mos jetë i mjaftueshëm për realizimin e të gjitha pagesave brenda vitit 2025.
Ministria thekson se procesi i realizimit të pagesave është në zhvillim dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në përfundimin e plotë të të gjitha pagesave të parapara sipas Programit të Pagesave Direkte.
MBPZHR ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbështetjen e vazhdueshme të sektorit të bujqësisë dhe fermerëve në vend, duke falënderuar fermerët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/



















































