LAJMI I FUNDIT:

Ministri Krasniqi reagon pas raportimeve se po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ministri Krasniqi reagon pas raportimeve se po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Foto: Arkiv

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pasi në media u raportua se bashkë me katër ministra të tjerë dhe një zevendësministër po hetohen nga Task Forca anti-korrupsion.

Krasniqi ka thënë se sapo e ka kuptuar që është nën hetime, pasi deri më tani ka deklaruar se nuk është ftuar nga asnjë institucion hetues.

Së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër në Qeverinë Kurti po hetohen nga Task Forca
Lexo po ashtu Së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër në Qeverinë Kurti po hetohen nga Task Forca

“Sapo e kuptova nga portali ‘Betimi për Drejtësinë’, që qenkam nën hetime. Deri më tani nuk kam qenë në dijeni e as që jam ftuar nga ndonjë institucion hetues”, ka shkruar ministri në Facebook.

Ajo për të cilën ka thënë se është i sigurt është që “për herë të parë komunitetet po mbështeten seriozisht nga Qeveria”.

“Ligji, transparenca dhe puna e ndershëm është baza e çdo vendimi tim. Mbesim të përkushtuar për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve e në veçanti atyre që kanë më së shumti nevojë”, ka përfunduar Krasniqi.

“Betimi për Drejtësi” raportoi të shtunën se Task Forca Anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të Qeverisë së Albin Kurtit.

Bëhet fjalë për ministrat Elbert Krasniqi, Hekuran Murati, Rozeta Hajdari, Hajrulla Çeku, Donika Gërvalla si dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi./Telegrafi/