Deputeti i OBRM-PDUKM-së, Antonio Miloshoski, deklaroi se Maqedonia dhe Britania e Madhe kanë nënshkruar një marrëveshje për investime, bashkëpunim dhe projekte, duke theksuar se tema e migrantëve po përdoret si manipulim politik nga kreu i LSDM-së, Venkо Filipçe.

“Maqedonia dhe Britania e Madhe kanë nënshkruar marrëveshje për investime dhe projekte. Asnjëherë nuk është hapur temë që përfshin migrantë. Kjo është një temë e lehtë për t’u manipuluar, dhe besoj se për Filipçen kjo temë ka rol të dyfishtë. Si kryetar i LSDM-së, ai përballet me ‘migrantë partiakë’ që po largohen në opsione të tjera politike, sepse shohin se LSDM po e humb ndikimin që dikur e ka pasur. Prandaj, e këshillojnë që këtë temë ta përdorë për mbulim”, tha Miloshoski.


Ai shtoi se, ndryshe nga LSDM, asnjë funksionar i lartë i OBRM-PDUKM-së nuk ka bërë deklarata të ngjashme si ish-aktivistja e LSDM-së, Mersiha Smailoviq. Më tej, ai potencoi se numri i personave që kanë marrë status azilant në Maqedoni është vetëm 14 – 9 nga Kosova, 3 nga Kongo dhe 2 nga Siria.

“E njëjta shifër është edhe te anëtarët e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së që dhanë dorëheqje me kërkesë të Filipçes – 14. Ndoshta kjo përputhje është rastësi, por flet shumë për gjendjen në LSDM”, u shpreh Miloshoski.

Deputeti theksoi se qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse deri tani në Maqedoni nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare në lidhje me pranimin e migrantëve dhe, sipas tij, çdo kërkesë e tillë do të refuzohej kategorikisht.

“Nuk ka asnjë kërkesë nga Britania për migrantë, dhe edhe sikur të vinte, do të refuzohej. Tema e migrantëve është një manipulim politik, të cilin Filipçe e përdor për të mbuluar dobësitë e partisë së tij – mungesën e ideve, mungesën e kuadrit dhe mungesën e njerëzve për debat publik. Ai detyrohet të kapet pas kësaj teme deri në shkurt apo mars”, tha Miloshoski.

Sipas tij, kjo është një tentativë e LSDM-së për të kamufluar krizën e brendshme dhe “zbrazëtinë partiake” me të cilën po përballet.