Milani lidhet me transferimin e yllit të Arsenalit

Milani thuhet se është ndër klubet e interesuara për sulmuesin e Arsenalit, Gabriel Jesus, i cili do të kërkojë më shumë kohë loje në pjesën e dytë të sezonit.
Rossonerët do të kërkojnë një qendërsulmues të ri muajin e ardhshëm, dhe mediat italiane kanë përmendur tashmë disa objektiva për Rossonerët, duke përfshirë Joshua Zirkzee të Manchester United, Niclas Fullkrug të West Ham dhe Andrea Pinamonti të Sassuolo.
Sipas Corriere dello Sport, pronarët e Milanit nuk janë të gatshëm të bëjnë një investim të madh në një sulmues të ri në afatin e janarit, por largimet e mundshme të Santiago Gimenez dhe Ruben Loftus-Cheek do t'i ndihmonin kuqezinjtë të financonin blerjen e një sulmuesi të ri.

Megjithatë, Football Italia kupton se Gimenez nuk po e konsideron largimin nga klubi në afatin kalimtar dimëror, të paktën për momentin.
Nëse situata do të ndryshonte, Gabriel Jesus do të ishte një nga objektivat e Milanit, raporton Corriere dello Sport.
28-vjeçari është rikthyer së fundmi nga një dëmtim dhe dëshiron të luajë vazhdimisht në pjesën e dytë të sezonit, diçka që mund të mos i jepet te Arsenali, duke pasur parasysh opsionet e Mikel Artetas në sulm.

Sipas raportit, Gabriel Jesus dëshiron të ketë një shans për t'u rikthyer në ekipin kombëtar të Brazilit për Kupën e Botës 2026, kështu që ai do të kërkojë më shumë kohë loje muajin tjetër.
28-vjeçari do të fitonte pak mbi 3 milionë euro nga janari deri në fund të sezonit. Kontrata e brazilianit në Emirates skadon në qershor të vitit 2027. /Telegrafi/











































