Ndër të tjera, në planin e gazetarit maqedonas që vepron në një televizon proqeveritar në Shkup, kërkohet që Maqedonia të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe më pas në këtë vend të formohet një qeveri njëetnike maqedonase, pa shqiptarët.

Ai gjithashtu kërkon edhe anulimin e Marrëveshjes së Ohrit, përmes regjistrimit të popullsisë që do të dëshmonte se në këtë vend nuk ka më shumë se 17-18 për qind shqiptarë, e që në fakt janë afër 40 për qind.


Nedelkovski propozon që të dënohen me burg firmëtarët e gjallë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Në këtë plan, ai nuk fsheh as urrejtjen për ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, Poll Vorels për të cilin thotë se duhet të shpallet person i padëshiruar në Maqedoni.

Nedelkovski kërkon edhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, si dhe tërheqjen e trupave nga misionet “paqësore”, raporton Top Channel.

Kjo nuk është hera e parë që ky, por edhe gazetarë të tjerë maqedonas, të afërt me pushtetin, nxisin urretje ndaj shqiptarëve, ndërsa ndaj tyre vazhdon të mos ndërmerret asnjë masë nga autoritetet shtetërore. /Telegrafi/