Mësimi i Gjuhës dhe Kulturës Shqipe në VHS Memmingen – një shembull dashurie për gjuhën amtare

Në kuadër të Volkshochschule (VHS) Memmingen, po zhvillohet mësimi i Gjuhës dhe Kulturës Shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar.
Interesimi i madh nga prindërit dhe fëmijët ka bërë që tashmë të hapet edhe klasa e tretë, një dëshmi e qartë e dashurisë dhe përkushtimit për gjuhën e nënës.
Mësimet organizohen çdo të premte, nga ora 14:00 deri në 16:00.
Një orë i kushtohet Gjuhës Shqipe, ndërsa tjetra Kulturës Shqipe.
Në këto orë, fëmijët nuk mësojnë vetëm të lexojnë e të shkruajnë shqip, por edhe të njohin traditat, këngët, zakonet dhe vlerat shpirtërore që formësojnë identitetin e kombit shqiptar.
Klasat drejtohen nga Ilmie Durmishi, mësuese e gjuhës, dhe Silva Marku, mësuese e kulturës – dy pedagoge që me pasion i ndihmojnë fëmijët të qëndrojnë të lidhur me rrënjët e tyre.
Durmishi theksoi se ky projekt, i realizuar përmes VHS Memmingen, përfaqëson një shembull frymëzues bashkëpunimi dhe vullnetarizmi, pasi mësimi zhvillohet falas.
“Gjuha e nënës nuk paguhet – ajo dhurohet me dashuri!”, theksojnë mësueset, të cilat me përkushtim të madh po mbjellin tek brezat e rinj dashurinë për gjuhën shqipe.
Sipas saj, falë këtij angazhimi, fëmijët shqiptarë të Memmingenit po rriten me krenari e vetëdije kombëtare, duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar edhe larg atdheut.


















































