Mes temperaturave të ulëta, Eko Natyra: Respekt për secilin punëtor në terren

N.P.L. “Eko Natyra” në Skenderaj ka vlerësuar punën e punëtorëve të saj, të cilët po vazhdojnë angazhimin e përditshëm në terren pavarësisht temperaturave të ulëta.
Në një postim në Facebook, ndërmarrja ka theksuar përkushtimin e tyre në mbajtjen e pastërtisë dhe rregullit në qytet.
“Edhe në ditët e ftohta të dimrit, kur temperaturat janë të ulëta, përkushtimi nuk ndalet”, thuhet në njoftim, ku theksohet se punëtorët po kujdesen çdo ditë për pastërtinë dhe estetikën e Skenderajt, përcjell Telegrafi.
Sipas postimit, ekipi në terren “me punë të palodhur kryen mbledhjen e mbeturinave, gjetheve dhe pastrimin e hapësirave publike, duke i dhënë qytetit një pamje më të rregullt dhe më të shëndetshme”.
Në fund, “Eko Natyra” ka shprehur mirënjohje për punëtorët, duke e cilësuar kontributin e tyre si të çmuar për komunitetin. “Dashuria për ambientin nuk njeh stinë.
Respekt dhe mirënjohje për çdo punëtor që, pavarësisht kushteve atmosferike, punon për një qytet më të pastër dhe më të bukur”, përmbyllet njoftimi. /Telegrafi/

















































