LAJMI I FUNDIT:

Merkel shpreh keqardhje për anulimin e takimit Netanyahu-Gabriel

Merkel shpreh keqardhje për anulimin e takimit Netanyahu-Gabriel

Kancelarja Angela Merkel të mërkurën shprehu keqardhje për anulimin, një ditë më parë, nga ana e Benjamin Netanyahu të një takimi në Jerusalem me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, një incident i paprecedentë diplomatik mes dy vendeve.

“Kancelarja shprehu gjithashtu keqardhje për moszhvillimin e takimit”, u shpreh zëdhënësi i Angela Merkel, Steffen Seibert, gjatë një konference shtypi në Berlin.

Ky takim mes kreut të qeverisë izraelite dhe kreut të diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel  u anulua pasi ky i fundit refuzoi të heqë dorë nga një takim me përfaqësues të dy OJQ-ve izraelite me qëndrime kritike ndaj qeverisë së Netanyahut.


“Agjenda e vizitave të kancelares në vende të ndryshme përfshin në mënyrë të rregullt takime me OJQ dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe kjo është e mundur në demokraci për vizitorët e huaj për të biseduar me përfaqësues të shoqërisë civile me qëndrime kritike, pa shkaktuar asnjë problem rreth këtij fakti”, theksoi zëdhënësi.

Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Punëve të Jashtme, Sebastian Fischer shprehu shqetësimin e tij për situatën e OJQ-ve në Izrael.