Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë se ka pasur kërkesa nga qytetarët që të lejohen programet sportive serbe “Arena Sport”.
Këtë deklarim ai e ka bërë të premten në mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, pasi është pyetur nga deputetët se pse po lejohet transmetimi i këtyre programeve.
Kjo pasi vitin e kaluar në kanalet sportive serbe “Arena Sport” ishin shfaqur mesazhe kërcënuese për Kosovën dhe që glorifikonin terroristët e vrarë në Banjskë. Më pas, ishte ndaluar transmetimi i këtyre kanaleve në Kosovë.
Por, Mehmeti para deputetëve ka thënë se janë garantuar nga rrjeti televiziv serb se më nuk do të shfaqen përmbajtje kërcënuese për Republikën e Kosovës.
“Sa i përket shfuqizimit të vendimi tonë për pezullim të kanaleve të Arena Sport, përgjigja është se jemi bazuar në faktin se kanë pushuar rrethanat të cilat na kanë determinuar marrjen e një vendimi të tillë”.
“E dyta, kemi marrë garancion nga operatorët dhe vetë kanalet e ‘Arena Sport’ se përmbajtjet e tilla nuk do të përsëriten më kurrë. Dhe e treta, kemi pasur parasysh interesin e qytetarëve, përkatësisht të përdoruesve për të pasur qasje në ngjarje sportive që i ofrojnë këto kanale”, ka deklaruar ai./Telegrafi/