“Gjatë bisedës telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, kryeministri Thaçi ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në veri të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti qeveritar.

“Për të arritur këto objektiva është e domosdoshme që të rritet koordinimi dhe vendosmëria e mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendorë të sigurisë”, citohet të ketë thënë Thaçi, i cili e ka informuar shefin e NATO-s se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar thellësisht në ndërtimin e një klime të mirëbesimit me qytetarët e saj në pjesën veriore të Kosovës, duke hapur kështu perspektivën e gjithanshme edhe në atë pjesë të vendit.


Në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës, thuhet se Rasmussen ka shprehur mbështetjen e NATO-s për angazhimet e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të Kosovës. /Telegrafi/