Ardian Ismajli shihet si zëvendësues i Rrahmanit te Verona

Amir Rrahmani ka shkëlqyer në vitin e tij debutues në Serie A.
Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës iu bashkua Hellas Veronës nga Dinamo Zagreb dhe ka bërë paraqitje fantastike.
Ndeshjet e mira bënë që Rrahmani të kompletoj në janar transferimin te Napoli, edhe pse ka mbetur i huazuar te Verona deri në verë.
Rrahmani do t’i bashkohet Napolit nga muaji korrik, derisa do ta lë një boshllëk të madh në mbrojtjen e verdhekaltërve.
Megjithatë Verona duket se do ta zëvendësojë kosovarin me një tjetër mbrojtës nga Kosova.

Trajneri kroat i Veronës, Ivan Juric ka kthyer sytë nga vendlindja e tij për të gjetur zëvendësuesin e Rrahmanit.
Juric e pëlqen shumë mbrojtësin prishtinas Ardian Ismajli i cili ka shkëlqyer me Hajduk Splitin në dy vitet e fundit.
Reprezentuesi shqiptar shihet si pasardhësi i Rrahmanit në Verona me trajnerin Juric që ka shprehur interesim për të.
Gjithsesi interesim për reprezentuesin shqiptar kanë shprehur edhe dy skuadrat tjera italiane Bologna dhe Atalanta.
Vlera e Ismajlit në tregun e transferimeve sillet rreth katër milionë euro. /Telegrafi/


















































