Bangladeshi ka zgjatur shtetrrethimin mbarëkombëtar pasi Gjykata e Lartë ka vendosur për kuotën e punësimit të shërbimit civil që ka shkaktuar protesta të dhunshme në ditët e fundit.

Universitetet janë mbyllur, interneti është ndalur dhe qeveria ka urdhëruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.


Bëhet e ditur se ata do të lejohen të dalin vetëm ndërmjet orës 15:00 dhe 17:00, dhe vetëm për të kryer punë thelbësore.

Ndërkohë, qeveria ka shpallur të dielën dhe të hënën si ditë pushimi, ku lejohen të funksionojnë vetëm shërbimet e urgjencës.

Gjykata e Lartë tani ka zvogëluar sistemin e diskutueshëm, i cili kishte rezervuar 30% të vendeve të punës në qeveri për të afërmit e veteranëve që luftuan në luftën e pavarësisë së Bangladeshit në vitin 1971.

Screenshot 29 10

Qeveria e ndaloi më parë atë në vitin 2018 pas protestave masive të studentëve, por në qershor, Gjykata e Lartë e Bangladeshit rivendosi kuotat dhe nisi një raund të ri protestash.

Gjykata Supreme urdhëroi që kuota e veteranëve të ulet në 5%, me 93% të vendeve të punës të ndahen sipas meritës, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Pjesa e mbetur prej 2% do të ndahet për anëtarët e pakicave etnike dhe personat transgjinorë dhe me aftësi të kufizuara.

Kjo thuhet të jetë një fitore e pjesshme për protestuesit pas përleshjeve vdekjeprurëse me policinë që çuan në vdekjen e të paktën 100 personave.

Screenshot 31 9

Protestat u kthyen vdekjeprurëse të martën, një ditë pasi studentët në Universitetin e Dhakës filluan të përlesheshin me policinë.

Dhuna vazhdoi të përshkallëzohej pasi policia hodhi gaz lotsjellës, plumba gome dhe granata tymuese për të shpërndarë protestuesit që hidhnin gurë.

Screenshot 32 10

Ndryshe, protestat kanë paraqitur sfidën më serioze për qeverinë e Bangladeshit që kur kryeministri Sheikh Hasina fitoi një mandat të katërt radhazi në zgjedhjet e janarit që u bojkotuan nga grupet kryesore të opozitës.

Kritikët argumentojnë se sistemi i kuotave është diskriminues dhe përfitues për mbështetësit e Sheikh Hasina, partia e të cilit, Awami League, udhëhoqi lëvizjen e pavarësisë.

Hasina kishte mbrojtur sistemin e kuotave, duke thënë se veteranët meritojnë respektin më të lartë për kontributin e tyre në luftën kundër Pakistanit, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike.

Krahas reformës së kuotave, kërkesat përfshinin rihapjen e konvikteve universitare dhe që disa zyrtarë të universitetit të largoheshin nga detyra. /Telegrafi/