Mbeturinat në lagjen "Eliza" në Fushë Kosovë, KRM "Pastrimi" sqaron se në menaxhimin e kujt janë

Disa fotografi të mbeturinave të hedhura në lagje të ndryshme të Fushës Kosovës kanë bërë jehonë në media dhe janë shpërndarë masivisht në rrjetet sociale. Këto pamje shqetësuese kanë shkaktuar shumë reagime, duke e theksuar problemin e menaxhimit të mbeturinave në këtë qytet.
Në pamjet që u shpërndanë në rrjetet sociale, shihet se mbeturinat ishin grumbulluar në lagjen "Eliza".
Telegrafi ka kontaktuar me ndërmarrjen "Pastrimi" për të kuptuar nëse ajo hapësirë është në menaxhimin e kësaj kompanie, por që të njëjtit kanë deklaruar se mbeturinat që janë të hedhura në tokë nuk menaxhohen nga ata.
"Kompania “Pastrimi”, Njësia Fushë Kosovë, largimin e mbeturinave tek lagja “Eliza”, e bën deri 3/tri here brenda ditës. Tek Lagja “Eliza”, mbeturinat të cilat janë të hedhur nëpër tokë nuk është përgjegjësi e Kompanisë “Pastrimi”, sepse janë mbeturina inerte me të cilat nuk menaxhon kompania jonë. Ato mbeturina janë krijuar nga kompanitë ndërtimore të objekteve dhe po ashtu edhe nga qytetarët të cilët kanë hedhur aty mbeturina", ka thënë për Telegrafin, zëdhënësja e ndërmarrjes "Pastrimi", Arbnore Ademi.
Ajo po ashtu tregoi se tek lagja “Eliza janë 4/katër pika të kontejnerëve ku banorët e kësaj lagje kanë mundësinë e hedhjes së mbeturinave në pikën më të afërt./Telegrafi/








































