Një rast i veprës penale “Mashtrim” është raportuar në komunën e Leposaviqit,.

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 4 shkurt 2026, rreth orës 17:15, rasti është raportuar në Stacionin Policor në Leposaviq, ndërsa ngjarja dyshohet se ka ndodhur një ditë më herët.


“Ankuesi dyshohet se është mashtruar nga i dyshuari, i cili është shoku i tij. I dyshuari, me pretekst të rremë se babai i tij do t’ia kryente një obligim kreditor që ankuesi kishte ndaj bankës, ka arritur të sigurojë kartelën bankare të ankuesit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bën të ditur se më pas, pa dijeninë dhe pëlqimin e ankuesit, i dyshuari ka tërhequr nga llogaria bankare shumën prej 600 euro.

Në lidhje me rastin, në stacionin policor është intervistuar i dyshuari D.S. (2003). Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe rasti do të hetohet për veprën penale “Mashtrim”.

Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve, duke u bërë thirrje që të jenë të kujdesshëm në dhënien e të dhënave personale dhe bankare.

Për çdo rast të dyshimtë, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes numrit emergjent 192, linjave pa pagesë ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Telegrafi/