Maqedonia e Veriut kërkon ndihmë për shuarjen e zjarreve, BE aktivizon "RescEU" - autoritetet dyshojnë për zjarrvënie të qëllimshme

Maqedonia e Veriut edhe këtë vit përballet me probleme në menaxhimin e situatës me zjarret. Autoritetet dyshojnë se disa prej zjarreve shkaktohen qëllimisht, duke thënë se për këtë kanë prova, ndërsa tashmë ka edhe persona të ndaluar.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, dje tha se një pjesë e vatrave të zjarrit janë pasojë e erërave të forta dhe kushteve të rënda atmosferike, megjithatë, për disa prej tyre thotë se ka dyshime të bazuara se janë shkaktuar me qëllim.
“Sapo të neutralizohet dhe lokalizohet zjarri i dytë, menjëherë fillon një zjarr i tretë. Të gjitha këto janë të lidhura me infrastrukturë kyçe të shtetit dhe nga profesionistët brenda MPB-së ekzistojnë dyshime të forta – jam i informuar se dyshojnë – se bëhet fjalë për një skenar të caktuar që synohet të realizohet në Maqedoni”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski, tha se një pjesë e zjarreve në rajonin e Shkupit janë shkaktuar qëllimisht.
"Jo vetëm që dyshojmë, por kemi edhe prova. Kemi ndaluar njerëz që e kanë bërë, veçanërisht në territorin e Shkupit, në Bashkinë e Shkupit. Sepse zjarri, le të themi, i fundit që ndodhi dje pranë Liqenit të Smilkovës, ishte në mbrëmje, pas orës nëntë, dhe ajo që gjetëm atje, por edhe tre persona që u siguruan më pas, tregojnë se ekziston dyshim i bazuar për një veprim të koordinuar dhe të menduar mirë”.
“Por ajo që më bën të kënaqur është se në më pak se 24 orë, pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira, temperaturave midis 35 dhe 40 gradë, të shoqëruara me erëra të forta, midis 80 dhe ndonjëherë mbi 100 kilometra në orë, që do të thotë një shpërthim i shpejtë i zjarrit, arritëm ta vëmë gjithçka nën kontroll”, tha Mickoski.
Ndërsa sot zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hërncirova, tha se BE ka marrë kërkesë nga Shkupi për ndihmë në përballimin e zjarreve, me çka autoritetet e RMV-së aktivizuan Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.
Në përgjigje, Qendra e Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave (ERCC) ka mobilizuar dy avionë RescEU nga Greqia për t'u vendosur në rajonin e prekur për ndërhyrje të shpejtë, tha Hërncirova.
Ajo shtoi se këta avionë zjarrfikës janë vendosur paraprakisht në Evropën Jugore përpara sezonit të verës në mënyrë që të mund të veprojnë menjëherë nëse është e nevojshme.
"RescEU" paraqet përditësim të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për të mbrojtur më tej qytetarët nga fatkeqësitë dhe për t'u përballur me rreziqet e reja. U krijua si një rezervë strategjike e kapaciteteve evropiane të reagimit ndaj fatkeqësive, e financuar plotësisht nga BE.
"RescEU" përbëhet nga një flotë avionësh dhe helikopterësh zjarrfikës, një avion evakuimi mjekësor dhe furnizime thelbësore, të cilat përfshijnë spitale terrenesh, automjete transporti, gjeneratorë, tenda, furnizime mjekësore dhe pajisje për t'iu përgjigjur emergjencave kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.
Ndryshe, sot nga Qendra për Menaxhim me Kriza njoftuan se deri në orën e mëngjesit kanë shpërthyer 38 vatra zjarri, prej të cilave shtatë janë aktive, katër nën kontroll, ndërsa 27 janë shuar.
Ditë më parë, zjarri në afërsi të pikës kufitare "Bllacë", shkaktoi edhe bllokim të komunikacionit dhe ndalim të lëvizjes në kufirin Maqedoni e Veriut - Kosovë./Telegrafi/
























































