Maqedonci në Bruksel: Do të investojmë mbi 1 miliard euro investime për ushtrinë e Kosovës
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në panairin e industrisë së mbrojtjes BEDEX 2026, i cili po mbahet në Bruksel dhe konsiderohet një ngjarje e rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Maqedonci bëri të ditur se gjatë dy ditëve të panairit ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të industrisë së mbrojtjes. Në mesin e tyre ishte edhe Shefi i Mbrojtjes i Forcave të Armatosura të Belgjikës, Frederik Vansina, me të cilin diskutoi për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Sipas ministrit, në margjinat e panairit janë zhvilluar edhe takime me kompani të industrisë së mbrojtjes për të shqyrtuar mundësitë e furnizimit të ushtrisë së Kosovës me sisteme dhe pajisje moderne ushtarake, si dhe për të eksploruar potencialin për bashkëprodhim dhe investime në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend.
Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes e Kosovës është e përkushtuar për të përshpejtuar modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse përmes investimeve strategjike. Sipas tij, gjatë katër viteve të ardhshme janë planifikuar investime mbi 1 miliard euro për zhvillimin e ushtrisë, përfshirë avancimin e kapaciteteve luftarake, ndërtimin e infrastrukturës së re mbrojtëse dhe zhvillimin e industrisë vendore.
Në një mjedis të ri sigurie në Evropë, Maqedonci tha se Kosova synon të kontribuojë në forcimin e mbrojtjes së saj kombëtare, por edhe në sigurinë rajonale dhe euroatlantike, duke thelluar bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.
Sipas tij, panaire si BEDEX 2026 shërbejnë si platformë për ndërtimin e partneriteteve afatgjata, për qasje në teknologjitë më të avancuara dhe për forcimin e kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës në funksion të një të ardhmeje më të sigurt për vendin dhe rajonin./Telegrafi/




























