Makth i ri për Real Madridin -mbretërit mësojnë kohën e gjatë të mungesës së qendërmbrojtësit

Lajm i ri i keq për Real Madridin. Mbrojtësi brazilian, Eder Militao, është lënduar rëndë përsëri dhe do të mungojë për tre deri në katër muaj. Klubi ka konfirmuar se bëhet fjalë për një këputje të bicepsit femoral të këmbës së majtë, me dëmtim të tendinit proksimal, sipas “Marca”.
"Pas testeve të kryera te lojtari ynë Eder Militao nga Shërbimet Mjekësore të Real Madridit, atij i është diagnostikuar një këputje e bicepsit femoral të këmbës së majtë me përfshirje të tendinit proksimal. Pritet zhvillim i mëtejshëm", tha klubi madrilen në një deklaratë zyrtare.
Militao u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 24-të të ndeshjes së së dielës kundër Celtas në “Bernabeu”. Ironikisht, dëmtimi ndodhi gjatë një vrapimi rutinë mbrojtës që e shpëtoi Realin nga një situatë e rrezikshme.
Parte médico de Militão.
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) December 8, 2025
Nuk pati përplasje apo kontakt agresiv — thjesht një lëvizje që futbollistët e kryejnë dhjetëra herë gjatë një ndeshjeje, por kësaj radhe fati e vuri në provë sërish mbrojtësin brazilian.
Kjo mungesë është një goditje e rëndë për Real Madridin. Militao mund të jetë jashtë deri në prill 2026, duke rrezikuar të humbasë deri në 29 ndeshje.

Këto përfshijnë pothuajse të gjithë Kupën e Mbretit, Superkupën, derbin e shumëpritur të Bernabeut dhe pjesën më të madhe të Ligës së Kampionëve deri në fazën çerekfinale. Reali ka qenë pa një nga shtyllat e mbrojtjes për thuajse gjysmën e sezonit, çka përbën një goditje të fortë si në aspektin taktik ashtu edhe emocional. /Telegrafi/






































