Analistja politike, Besa Luzha në "Përballje podcast" paralajmëroi se zgjedhjet e ardhshme nuk do të sjellin zgjidhje automatike, nëse partitë politike nuk ndryshojnë qasjen dhe nuk heqin dorë nga polarizimi dhe konflikti verbal.

Ajo tha se ky vit në aspektin politik ka qenë “gati i humbur”, ndërsa tensionet, akuzat dhe barrikadimet politike kanë dëmtuar jo vetëm funksionimin e institucioneve, por edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.


Luzha kërkoi që fushata zgjedhore të mos shndërrohet në arenë përbaltjesh, por një garë programesh.



Ajo theksoi se votuesit kanë nevojë të shohin ide dhe zgjidhje, jo urrejtje e përçarje.

“Kultura jonë politike e ka ngatërruar kokëfortësinë me vlerë. Vlerat e vërteta janë bashkëpunimi, komunikimi dhe mirësjellja e jo bërtitma dhe urrejtja”, ka thënë ajo në “Përballje Podcast”.

Luzha paralajmëroi se pas zgjedhjeve, secila parti do të ketë nevojë për tjetrën. Prandaj, sipas saj, është momenti që të hiqen vijat e kuqe dhe të ndërtohet një qasje e re.

“Duhet të kthehemi tek çfarë na bashkon, jo tek çfarë na ndan, për hir të Kosovës dhe brezave që vijnë, partitë duhet të ulen, të flasin dhe të bashkëpunojnë. Urrejtja nuk ndërton as institucione, as ekonomi vetëm e lodh shoqërinë”, ka përcjellë si mesazh Luzha.

Ajo nënvizoi se Kosova ka hyrë në një pikë delikate dhe se koha për kompromis është tani, jo pas krizave të reja. /Telegrafi/