Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka raportuar për suksesin e aktiviteteve të koordinuara për luftimin e monedhave të falsifikuara, veçanërisht monedhave 2 euro, gjatë fundit të vitit 2023 dhe pjesës së parë të vitit 2024.

BQK ka organizuar takime ndër-institucionale për këtë qëllim dhe ka zhvilluar aktivitete në përputhje me Planin për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme.


SHQ shtojca 1 rregullorja

Në periudhën deri në prill 2024, BQK ka arritur disa rezultate të rëndësishme në luftën kundër parave të falsifikuara dhe zbatimin e masave të rregullores për operacione me para të gatshme:

- Janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth 2.5 milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro;

- Janë detektuar dhe u është parandaluar hyrja në sistemin financiar rreth 54,000 copë monedha të denominimeve prej 2 euro, duke i tërhequr nga qarkullimi të dyshuara si të falsifikuara;

- Është furnizuar ekonomia me afër 7.4 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar;

- Është furnizuar ekonomia me afër 5.82 milionë copë kartëmonedha euro plotësisht të reja dhe të përshtatshme për ri-qarkullim ne shume prej 261.6 milionë euro;

- Janë importuar monedha krejtësisht të reja 5 milionë copë, ose 8 milionë euro;

- Janë eksportuar 2.4 milionë copë (2.8 milionë euro) të monedhës 2 euro (të tërhequra nga qarkullimi);

- Numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 266,000 (dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) copë/njësi në vlerë mbi 133 (njëqind e tridhjetë e tre) milionë euro;

- Janë licencuar katër (4) banka për import/eksport të parasë së gatshme; dhe

- 57 autorizime (kryesisht të valutave jo-euro) për transport të parave të gatshme në kundërvlerë të tërësishme prej 177.4 milionë euro.

SHQ shtojca 2 rregullorja

Përveç kësaj, BQK ka zbatuar Planin për Zbatim të Lehtësuar të Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, duke realizuar aktivitete në të gjitha pikat e planit, si funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë, lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, dhe pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së.

Gjatë kësaj periudhe, BQK ka licencuar 8 degë/zyra të institucioneve financiare, ka vendosur 38 bankomatë/ATM, dhe ka kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese.

BQK ka theksuar se vazhdon të përqendrohet në zgjerimin e qasjes në financa, përfshirjen financiare, edukimin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Banka Qendrore e Kosovës ka inkurajuar qytetarët dhe bizneset të përdorin sa më shumë pagesat elektronike dhe të raportojnë çdo dyshim për monedha të falsifikuara tek autoritetet përgjegjëse. /Telegrafi/