LAJMI I FUNDIT:

Propozimi evropian dhe plani i zbatimit, gjithçka nga takimet në Ohër

Propozimi evropian dhe plani i zbatimit, gjithçka nga takimet në Ohër

Nga ora 10:00 e mëngjesit janë mbajtur takimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Fillimisht përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka mbajtur takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq me pas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.


Pas takimit bilateral, diku rreth orës 15:30 ka filluar takimi trepalësh ndërmjet Borrelit, Kurtit dhe Vuçiq.

Borrell pas përfundimit të takimit trepalësh do të dalë me një deklaratë.  /Telegrafi/

Postet:
Mbylle
18/03/2023 15:32

Takimi trepalësh, Borrell-Kurti-Vuçiq

Ka filluar të mbahet takimi trepalësh ndërmjet kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së, Miroslav Jajçak.

Para takimit trepalësh, Borrell kishte takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin.


Ndryshe, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një deklaratë për media theksoi se në fund të takimit, përfaqësuesi i Lartë, Borrell do të dalë me një deklaratë për media.

Ai tha se kjo deklaratë pritet të bëhet në orët e mbrëmjes.

18/03/2023 14:55

Takimi trepalësh në Ohër, zëdhënësi i BE-së: Borrell do të deklarohet në fund të ditës

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano nuk ka dhënë detaje të takimit trepalësh në Ohër të Maqedonisë, ndërmjet përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Stano në një paraqitje para gazetarëve tha se përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell do të dalë në fund të ditës me një deklaratë për media, por që nuk do të pranohen pyetje të gazetarëve.


“Në fund të këtij takimi do të vijë këtu…nuk e dimë kohën, nuk e dimë sa do të zgjasë takimi…por do të ju informojmë…”, tha Stano, duke shtuar se deklarata nga Borrell mund të jetë në orët e vona të pasdites ose në mbrëmje.

“Nuk do të them asgjë për përmbajtjen. I përmbahemi rregullave dhe nuk do të flasim për atë që është  diskutuar… do të ketë deklaratë pas takimit”, tha ai.

18/03/2023 12:24

Pas Vuçiqit, Borrell dhe Lajçak nisin takimin me Kurtin 

Ka nisur të mbahet takimi i shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në takim do të diskutohet plani i zbatimit të Propozimit evropian.


Pas këtij takimi është ai trelateral, mes përfaqësuesve të BE-së, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pritet të mbahet rreth orës 13:30.

18/03/2023 12:12

Para takimit të nivelit të lartë, Kurti takon emisarin e SHBA-së

Në prag të takimit të radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot në  Ohër zëvendësndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Folën për takimin e sotëm, rëndësinë dhe pritjet nga ky takim.


Kryeministri Kurti e falënderoi Escobar për mbështetjen vazhdueshme të tij dhe të ShBA-së në procesin e dialogut, duke theksuar këtu përkushtimin dhe qasjen konstruktive të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë fundjavë dhe për gjatë gjithë procesit.​

18/03/2023 12:05

Andin Hoti pjesë e delegacionit të Kosovës në Ohër

Djali i veprimtarit të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, njëherësh kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti sot është i pranishëm në Ohër si pjesë e delegacionit të Kosovës.

Pjesë e këtij delegacioni me në krye kryeministrin e vendit, Albin Kurti janë po ashtu edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi si dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.


18/03/2023 11:31

Masa të shtuara të sigurisë në Ohër, policia patrullon edhe nga liqeni

Varka e Policisë së Maqedonisë së veriut është duke qëndruar mbi liqen të Ohrit, në kuadër të masave të shtuara të sigurisë për takimin trilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësim të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE).

Takimi do të zhvillohet në “Vila Biljana”, ish-rezidenca verore e ish-presidentit komunist të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Titos, e cila tashmë është një kompleks vilash shtetërore të Maqedonisë së Veriut.


Siguria- varka e Policisë së Maqedonisë së Veriut /Foto: Ridvan Slivova
Siguria- varka e Policisë së Maqedonisë së Veriut /Foto: Ridvan Slivova
Siguria- varka e Policisë së Maqedonisë së Veriut /Foto: Ridvan Slivova
18/03/2023 11:09

Fillon takimi i Borrellit dhe Lajçakut me Vuçiqin

Ka filluar në Ohër takimi dypalësh i përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq,

Zyrtarët evropianë gjithashtu do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.


Në fund është planifikuar një takim trepalësh mes Kurtit, Vuçiqit dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

18/03/2023 10:50

Takimi Kurti-Vuçiq, shefi i NATO-s: Pres konstruktivitet dhe përparim në dialog

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë sot se pret konstruktivitet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga takimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE në Ohër janë të rëndësishme dhe pres që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri Albin Kurti të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të bëjnë përparim. Ky është çelësi për stabilitetin e qëndrueshëm dhe të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të rajonit. NATO, KFOR vazhdon të punojë për një Kosovë stabile dhe paqësore”, thuhet në postim. /Telegrafi/


18/03/2023 10:50

Borrell: Sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë sot te Ohri

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, para takimit të sotëm ka thënë se sytë e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë sot te Ohri.

“Pas diplomacisë intensive të anijes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, do të diskutojmë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Aneksi i zbatimit – një pjesë integrale e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Borrell në Twitter.


18/03/2023 10:34

Surroi: Negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër kanë të bëjnë me gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit

Publicisti Veton Surroi ka komentuar takimin e sotëm në Ohër, ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë të bëjnë me gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit.


“Një informacion kontekstual mbi luftën/negociatat: më shumë civilë (10.000 prej të cilëve 1.000 fëmijë) u vranë në Kosovë sesa në Ukrainë për 1 vit luftë. Negociatat e Kosovës dhe Serbisë në Ohër kanë të bëjnë me gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit, 24 vjet më pas. Vështirë!”, ka shkruar Surroi në Twitter.

18/03/2023 10:23

Kurti deklarohet para takimeve në Ohër: Jam optimist dhe i vëmendshëm, do të bëjmë më të mirën për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se është optimist për takimin që do të zhvillohet sot në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ai po ashtu tha se sot në takimin trilateral do ta bëjë më të mirën për Kosovën.


“Nga këtu do të shkoj për takim me presidentin Pendarovckin dhe pastaj kemi takimet bilaterale me ndërmjetësit evropian, përkatësisht me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borell dhe emisarin e tij për Ballkan dhe dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak që i paraprinë takimit trilateral.

Liqeni i Ohrit është liqen tektonik, mirëpo është vend i qetë dhe i bukur siç po e shihni dhe ju vet që jeni këtu. Jam optimist, i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit për të gjithë qytetarët pa dallim sepse unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

18/03/2023 10:14

Ambasadori Abbott: Me vullnet politik e pragmatizëm mund të ketë rezultat pozitiv nga takimi në Ohër

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë sot se me vullnet politik, guxim e pragmatizëm sot mund të ketë një rezultat pozitiv nga bisedimet në Ohër.

Abbott në një postim në Twitter shkruan se me Mbretëria e Bashkuar e mbështetë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.


“Një rezultat pozitiv nga bisedimet e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi mund të ndodhë me vullnet politik, guxim dhe pragmatizëm nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe komunitetet. Mbretëria e Bashkuar mbështet Bashkimin Evropian dhe është i gatshëm të ndihmojë në zbatimin”, shkruan Abbott.

18/03/2023 10:11

Raci për takimin në Ohër: Nuk pres sot historinë

Analisti dhe opinionisti kosovar Gazmir Raci, dikur pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka folur për takimin e sotëm të Ohrit dhe pritshmëritë e tij.

Raci në ‘RADIO 1’, ka thënë se nga takimi i sotëm i Ohrit, nuk pret që të bëhet historia, porse pret që palët të zotohen se një marrëveshje me zbatim të plotë dinamik ta firmosin në Paris ose Berlin më 23 ose 24 Mars.


‘Nuk pres sot historinë, porse pres që palët të zotohen se një marrëveshje me zbatim të plotë dinamik ta firmosin në Paris ose Berlin më 23 ose 24 Mars”, tha Raci. /Telegrafi/

18/03/2023 09:58

A besoni se Kosova dhe Serbia do të pajtohen në Ohër për planin e zbatimit të propozuar nga Bashkimi Evropian?


18/03/2023 09:52

Delegacioni i Kosovës në Ohër, Kurti takon Ali Ahmetin para takimeve zyrtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe delegacioni qeveritar ka zhvilluar një takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti para nisjes zyrtare të takimeve në Ohër të Maqedonisë, që priten të fillojnë në ora 10:00.

Në shoqërimin e Kurtit është parë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.


Fotografi i Telegrafit, Ridvan Slivova ju sjell fotografi nga rezidenca shtetërore në Ohër të Maqedonisë.

18/03/2023 09:51

Lajçak takon Bislimin, Ali Ahmeti në rezidencë – fotografi nga Ohri para nisjes zyrtare të takimeve

Ohri, ky qytet turistik i Maqedonisë së Veriut sot do të jetë vendtakim i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), ndërkaq i pranishëm do të jetë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Gabriel Escobar.

Po ashtu, në rezidencën në Ohër ku do të mbahet takimi në orët e mëngjesit janë parë duke biseduar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti si dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.


Bislimi është parë duke biseduar edhe me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak para nisjes zyrtare të takimeve.

18/03/2023 09:50

Agjenda e takimit të nivelit të lartë në Ohër, i pranishëm edhe Escobar

Zyra e Bashkimit Evropian ditë më parë ka bërë publike agjendën e takimeve të 18 marsit që do të mbahen në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Takimet në Ohër do të fillojnë nga ora 10:00. Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në rezidencat shtetërore.


Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Atje do të jetë i pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell bashkë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak.

I pranishëm do të jetë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

18/03/2023 09:49

Dy skenarët e takimit Kurti-Vuçiq në Ohër sipas drejtorit të institutit EPIK 

Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha, ditë më parë në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për takimin e 18 marsit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Ohër.

Shasha ka thënë se në këtë takim pritet të vazhdohet “diskutimi i mirë”, i cili u zhvillua më 27 shkurt në Bruksel, ku palët janë darkoduar për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve.


Sipas tij, në Ohër palët do të shkojnë një hap tutje – të dakordohen për planin e zbatimit të kësaj marrëveshje.

“Ajo për të cilën nuk janë darkoduar është plani i zbatimi, respektivisht aneksi i zbatimi. Në Ohër pritet që të shkohet një hap tutje. Pra, palët të dakordohen për aneksin e marrëveshjes”, ka deklaruar Shasha, duke shtuar se nuk pritet që të ketë nënshkrim ceremonial.

Në trend Lajme

Më shumë
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Kryeministri tha se marrëveshja e 2015-ës me Serbinë shkel Kushtetutën, reagon Mustafa: Është sajesë dhe gënjeshtër e Kurtit

Kryeministri tha se marrëveshja e 2015-ës me Serbinë shkel Kushtetutën, reagon Mustafa: Është sajesë dhe gënjeshtër e Kurtit

Lajme
Stano: Shqetësues arrestimi i zyrtarëve policorë të Kosovës nga Serbia

Stano: Shqetësues arrestimi i zyrtarëve policorë të Kosovës nga Serbia

Lajme
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët

Çka po synon Serbia me testimin e armëve në kufi me Kosovën, flasin ish-ushtarakët

Siguri
Kalo në kategori