Sot Kuvendi i Kosovës mbajti seancë ku në rend dite ishte mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Mocioni është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe është mbështetur nga 44 deputetët. Në këtë seancë nuk pati mysafirë të pranishëm, pasi hapësira nevojitet për distancë ndërmjet deputetëve, për shkak të situatës me Coronavirus.


Për rrëzimin e qeverisë kanë votuar 82 deputetë, nga 117 sa ishin në prezent në sallë, ndërsa kundër votuan 36 deputetë dhe një prej tyre abstenoi.

Ndryshe, lidhur me çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti kishin reaguar edhe ambasadat si ajo e Gjermanisë, Francës dhe Zvicrës, të cilat ishin kundër mbajtjes së seancës, për dallim nga ajo e Amerikës.

25/03/2020 22:57-Kalon mocioni për rrëzimin e Qeverisë

Pas një debati të gjatë dhe me tensione, Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e ‘Qeverisë Kurti’.

Për rrëzimin e qeverisë kanë votuar 82 deputetë, nga 117 sa ishin në prezent në sallë, ndërsa kundër votuan 36 deputetë dhe një prej tyre abstenoi> LAJMI I PLOTË

25/03/2020 22:56-Shala flet për veprimet e Kurtit që çuan deri te mocioni për rrëzimin e Qeverisë

shala 1

Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, pavarësisht akuzave në adresë të partisë së tij, tha se nuk është i interesuar të komentojë këto fjalime, pasi kjo bëhet nga njerëz që kanë kaluar nga zyrat e PDK-së.

"Unë respektoj të gjithë kolegët, por nuk pranoj të komentoj fjalime shaptilografike as përvojat e mësimet se çfarë është LDK e PDK nga njerëz që kanë kaluar nga zyrat e PDK-së. Unë nuk pranoj të flas për biografitë, por historia politike të subjekteve politike është diçka tjetër", ka thëne Shala, fjalimi i zgjeruar.

25/03/2020 22:33-Osmani: Votoj kundër mocionit dhe jam kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN-it

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të votojë kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

“Nuk pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më pak në këtë kohë. Zëri i qytetarëve sot nuk është dëgjuar. Jam kundër çdo marrëveshje me PAN-in, dhe nuk e thyej besimin e qytetarëve me asnjë çmim, pra do të votoj kundër mocionit”, deklaroi ajo.

25/03/2020 22:00-Aliu: Po na detyroni që Qeverinë ta bëjmë vetë

Screenshot 3 40  1


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme LVV do të mundet ta bëjë Qeverinë e vetme.

“Po na e boni punën që ta bëjmë Qeverinë me mbi 60% ,e ju të vazhdoni politikën e tenderëve e të kapje së shtetit, të cilët do i vjen fundi edhe asaj pune në zgjedhjet e ardhshme, kur na vet do të mund ta bëjmë qeverinë, por prapë s’do e bëjmë vetë”, pohoi Aliu përcjell Telegrafi.

25/03/2020 21:06-Vazhdon përplasja LDK-LVV, Selmanaj ia përmend Aliut rezolutën e mesnatës

Përplasje fjalësh ka pasur në mes të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj në seancën e jashtëzakonshme për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Ndër të tjera, Selamanj tha se për Vetëvendosjen kanë votuar rezolutë në mesnatë, që sipas tyre ishte qesharake.

Aliu tha se përvoja u ka dëshmuar që bashkëpunimi me LDK-në funksionon derisa ndaj atyre të shtrohet një presion, dhe ata pastaj tërhiqen.

“Qëndrimi im personal por edhe i shumë të tjerëve ka qenë që duhet ta kemi parasysh që LDK në një moment kritik kur fillon me rreh pyka pykën, LDK ja rrjedh diqysh. Kjo ka qenë bindje e përgjithshme, dhe kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu ka dalë, por e flas këtë nga përvoja”, tha Aliu.

Ai tha se vazhdojnë të besojnë që brenda LDK-së ka zëra të cilët do të thyejnë brenda partisë mendësinë e gabuar të viteve të fundit.

Por që sipas tij, në të ardhmen Vetëvendosje mund të formojë vet qeverinë me mbi 60 deputetë.

“Ju nuk po na leni rrugë tjetër pos asaj të fundit që ne të bëjmë qeverinë më mbi 60 deputetë veç na dhe kjo është e vetmja zgjidhje dhe kjo do ta pres Kosovën në zgjedhjet e ardhshme”, tha Aliu.

Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, u kundërpërgjigj Driton Selmanaj, i cili tha se në mes të partnerëve të koalicionit ka pasur edhe punë të mirë.

Ai përmendi seancën kur në mesnatë u votua një rezolutë për dialogun, për të cilën tha se ishte qesharake.

“A po harroni që krejt bashkë jeni bërë për të rrëzuar LDK-në, duke qenë në opozitë ju jeni bërë bashkë me krejt, more me Listën Serbe me krejt, për me na rrëzu ne, vetëm LDK-në, kundër LDK-së, mosni këtë se po dilni shumë hipokrit. Edhe në këtë qeveri kemi bërë punë të mira, shumë mirë që i kemi bërë. Madje na detyruat rezolutë në 2 të natës me votu, rezolutë që për ne ishte qesharake por e bëmë për ju, çfarë thoshte ajo rezolutë detyrat që duhet me i bë qeveria, mere me mend, u referoheshim normave kushtetuese sikur të ishim opozitë, ne ishim pushteti, por e bëmë këtë për ju”, tha Selmanaj në replikën e tij ndaj deputetit Liburn Aliu.

25/03/2020 21:04-Abazi akuzon Hotin për koordinim me Thaçin

Zëvendëskryeministri i Kosovës Haki Abazi konsideron se tentimi për të rrëzuar Qeverinë Kurti, ka të bëjë me planin për ndarjen e Kosovës dhe heqjen e Gjykatës Speciale.

Në seancën e jashtëzakonshme për votimin e mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK, ai i ka reaguar zëvendëskryeministrit të parë Avdullah Hoti, duke thënë se po flet të pavërteta.

Abazi tha se Hoti ka menduar që duhet të koordinohet me presidentin Hashim Thaçin, duke ‘mos kuptuar’ se është pjesë e Qeverisë Kurti.

“Nuk e di ku e gjen forcën edhe formën e formulimit për me fol të pavërtetat të plota për formën se si ka shkuar këto dy muaj qeverisja. Dyer të hapura, biseda të njëpasnjëshme veprim, bashkëveprim, arritje deri te plani i përbashkët qeverisës, takime, punë me ministrat e LDK-së, të cilat kanë rezultuar në punë të jashtëzakonshme në terren.

Qëndrimi i zëvendëskryeministrit më bën të kuptoj që në fakt nuk e ka kuptuar se është në Qeverinë Kurti, por ka menduar që duhet të koordinoj gjithçka me Thaçin, sepse në asnjë moment nuk paska ndarë informacionin se dikush i paska garantuar se ka marrëveshje që i siguron Kosovës integritetin të plotë territorial, por i paska pranuar edhe ulësen në OKB, e ne nuk e paskemi ditur se ku është ajo marrëveshje”, tha Abazi.

25/03/2020 20:19-​Kollçaku: Nëse infektohen deputetët, të mos u vihen respiratorët

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se është në ankth si epidemiologe, duke parë situatën me përhapjen e Covid-19.

Ajo është shprehur e revoltuar për mbajtjen e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës pasi nuk ka siguri.

“Ky mesazh që shkon nga kjo sallë është turpi. Unë kam thënë sot pa ardhur, pas pak fillon seanca e turpit dhe qëndroj prapa saj. Sot e kam postuar një video-spot, BBC që e ka jap të njerëzve që punojnë në kujdesin intensiv qendror, dhe i ftoj të gjithë ata që asnjë deputet nëse do të infektohej mos t’ia qesin respiratorin, sepse ne nuk jemi mbi ligjin, a po mendoni që jemi me imunitet politik e jemi edhe me imunitet karshi sëmundjeve, apo si deri tani gjithë politik-bërësit kanë qenë mbi ligjin, mbi shtetin, kurrgjë nuk ka vlejte, do të thotë edhe në kohë të pandemisë ne jemi mbi ligjin”, tha ajo.

Seanca e jashtëzakonshme ka filluar rreth orës 11:00.

25/03/2020 20:01-Hoti thirrje për mbështetjen e mocionit: LDK nuk mund të jetë qiraxhi në qeveri

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se qeveria nuk ishte e Albin Kurtit por e koalicionit LVV-LDK bashkë me minoritetet.

Ai thotë se LDK nuk u fut në qeveri si qiraxhi, por si zot shpie që bashkë me LVV-në të punojë për të mirën e vendit.

Hoti u shpreh se pengesa kryesore e kësaj qeveri ishte heqja dorë e Kurtit për të marrë përgjegjësinë për dialogun.

“Për ne është e papranueshme qasja neglizhente e prishjeve së raporteve me SHBA nga ana e partnerit qeverisës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës thotë se largimi i një investitori të madh amerikan nga Kosova u festua nga partneri qeverisës.

Sipas tij me shkarkimin e ministrit Veliu, LDK u bind se Kurti po kërkonte shkarkimin e tij nga qeveria.

“Edhe pas shkarkimit të Veliut, ai vendosi ushtrues detyre zëvendësministrin e LVV-së në vend të atij të LDK-së për të pasur shumicën në qeveri në mënyrë që të merrte vendime pa miratimin e LDK-së”.

Ai thekson se Kurti tashmë e ka marrë mesazhin por është shumë vonë.

Hoti konsideron se pa mbështetjen e SHBA-së e BE-së, Kosova nuk mund të shkojë përpara.

Ai thotë se në vitin 2020 nuk mund të ketë vend për autokraci.

“Bashkëpunimi kërkon edhe pranimin e mendimit ndryshe. Në LDK mendimin ndryshe e kemi vlerë. Prandaj u bëjë thirrje të gjithëve të mbështesin këtë mocion”, tha mes tjerash Avdullah Hoti.

25/03/2020 19:01-Gashi i përgjigjet Qunit: Vetëm unë flas në emër të LDK-së

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzoi LDK-në se për qëndrime të ndryshme.

Selimi iu referuar deklaratës së Anton Qunit dhe Agim Veliut, që u shprehe pro dhe kundër sa i përket vazhdimit të koalicionit me VV-në.

Por mori përgjigje nga shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se në emër të kësaj partie ka të drejtë të flas vetëm ai.

Ndërsa deputetët tjerë tha se flasin vetëm në emër të tyre dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e LDK-së.

“Unë jam i vetmi i autorizuar për të folur në emër të LDK-së, deputetët tjerë flasin si deputetë. Vjosa është kryetare e Kuvendit dhe është përtej LDK-së, ndërsa në emër të LDK-së flas unë. Më vjen që jemi në këtë situatë, por ajo çka thatë ju në mënyrë eksplicite është se duhet të deklarohemi me votë në fund dhe në këtë m ënyrë do të veprojmë në fund”, tha ai.

25/03/2020 18:48-Quni, Selimit: Do të bëjë gjithçka që të vazhdojë koalicioni, reflektoni edhe ju

Pas reagimit të nënkryetarit të LDK-së, Agim Velu, i cili tha se Anton Quni nuk ka autorizim për të ofruar negocim të tillë me Kurtin, ka reaguar ky i fundit.

Në foltoren e Kuvendit, ministri Quni ka theksuar se ai e ka thënë qëndrimin personal dhe ka dashur të këtë progres në koalicion.

“Kur iu drejtova juve, nuk thashë që kam autorizime dhe është e natyrshme që edhe brenda LDK-së të ketë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë temë. Unë e mora një rrezik përsipër, marrë parasysh situatën”, ka thënë ai.

Quni u shpreh se është në gjendje të bëjë të pamundurën për të vazhduar koalicioni.

Ai ka thënë se veprimi i LDK-së u pa në deklaratën e ish ministrit Agim Veliu, i cili bëri të qartë kundër ndonjë negocimi për mos ta rrëzuar Qeverinë.

“Përndryshe ne e morëm si vullnet tëndin të mirë, në kufijtë e së mundshmes”, ka thënë Selimi.

Quni, Rexhep Selimit: “Ju kryeni punën tuaj, timennë LDK lërma mua”.

25/03/2020 18:40-LVV i kthen përgjigjen Anton Qunit, ofertë për LDK-në

Shefi i Grupit Parlamentar, Rexhep Selimi, ka thënë se gjatë pauzës kanë diskutuar rreth ofertës që ka bërë ministri Anton Quni, që ta rishqyrtojnë ofertën e LDK-së dhe të vazhdohet koalicioni.

Selimi ka theksuar se sot ekziston vetëm një zgjidhje, që LDK të votojë kundër mocionit, transmeton Telegrafi.

“Ne ishim duke diskutuar, mirëpo ministri Quni mori një përgjigje nga Veliu, i cili tha se nuk ka kthim prapa. Para se t’i përgjigjeshim ne, atij iu përgjigjen LDK, nëse doni zgjidhje atëherë keni një shancë ta votoni  kundër mocionin”, deklaroi Selimi.

Pas Selimit, Quni ka thënë se prapë do të angazhohet të vazhdohet koalicioni.

25/03/2020 18:08-Pas pauzës, nis seanca

Pas një pauze, ka nisur seanca e thirrur nga LDK, për mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë.

Përkundër idesë së ministrit Anton Quni, që të ketë reflektim të Kurtit gjatë pauzës, në mënyrë që Lidhja Demokratike ta largojë mocionin, një gjë të tillë e ka kundërshtuar ish ministri Agim Veliu.

Ai ka thënë se, Quni nuk e ka autorizimin e LDK-së, për të negociu me Kurtin.

Më tej ka theksuar se pret, rrëzimin e Qeverisë sa më shpejt.

25/03/2020 16:56-Kuvendi shkon në pauzë një orëshe

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë e cila do të zgjatë një orë.

Kërkesën për pauzë e bëri shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e cila më pas u aprovua nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

25/03/2020 16:54-Quni i kërkon Kurtit të reflektojë gjatë pauzës që LDK ta heq mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë

"Nëse i rishikoni vendimet, pasi të merret pauza do ta takoj Isa Mustafën dhe do të bisedoj me të gjithë deputetët që ta tërheqin mocionin nëse e ktheni Veliun në punë dhe nëse ju reflektoni lidhur me taksën e cila është kusht nga komuniteti ndërkombëtar", ka thënë Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni.

25/03/2020 16:51-Hamza: Qeveria ashtu si mori me qetësi emërimin, ta merr me qetësi edhe shkarkimin

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se qeveria edhe kur zgjedhet duhet të zgjedhet me qetësi por edhe kur shkarkohet ta merr këtë veprim me qetësi.

“Nuk është mirë që në këtë Kuvend të thirret për gjak e luftë. Ne deputetët e këtij Kuvendi u takojmë partive të ndryshme dhe secili përfaqëson elektoratin e vet”.

25/03/2020 15:59-Osmani kërkon nga Bislimi dhe Selmanaj të mos flasin në emër të saj

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga deputetët që të mos flasin në emër të saj.

Kjo ndodhi pasi që ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e përfshinë atë gjatë fjalimeve të tyre, transmeton Telegrafi.

25/03/2020 15:44-Kurti: Më njoftuan se nuk ekziston transkripti nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë, kjo do të thotë shumë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është njoftuar se nuk ekziston transkripti nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë që u mbajt javën e kaluar.

Kjo ka thënë Kurti po ndodhë sepse Kosova vazhdon të jetë shtet i kapur.

“Më 17 mars u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë dhe po më njoftojnë që hardisku nuk e paska regjistruar fare transkriptin. Kjo po ndodhë sepse Kosova vazhdon me qenë shtet i kapur. Ka ndryshuar vetëm qeveria, nuk ka ndryshuar prokuroria, gjyqësori, arsimi, shëndetësia vetëm kjo qeveri ka ndryshu dhe këtë po tentoni ta rrëzoni”, ka thënë Kurti.

25/03/2020 15:30-Haxhi Avdyli i LDK-së: Do të votoj kundër mocionit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli u deklarua edhe sot se do të votoj kundër mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Avdyli tha se në lidhje me këtë votë do të marrë përgjegjësinë personale e politike.

25/03/2020 14:52-Gashi: Nekibe Kelmendi nuk ishte shkarkuar, ka pasur riformatim të Qeverisë

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i është përgjigjur ministrit Glauk Konjufca, duke i thënë se Nekibe Kelmendi nuk është shkarkuar në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, por në atë kohë sipas tij është bërë riformatim i Qeverisë.

Gashi tha më tej se në riformatimin e Qeverisë janë largu tre ministra, Nekibe Kelmendi, Alush Gashi dhe Valton Beqiraj.

Deputeti i LDK-së tha se kryeministri Kurti do të duhej të konsultohej me kryetarin e LDK-së, para se ta shkarkonte ministrin Agim Veliu.

Këto deklarata Gashi i bëri, duke iu përgjigjur ministrit Konjufca i cili pyeti LDK se ku ishte kur Thaçi ua shkarkoi ministren Nekibe Kelmendi

25/03/2020 14:26-Konjufca pyet LDK-në: Ku ishit kur Thaçi ua shkarkoi ministren Nekibe Kelmendi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka thënë se argumentet e LDK për rrëzim të Qeverisë nuk qëndrojnë.

Ai u tha deputetëve të LDK-së se do të ishte mirë të zbatoni mënyrën e votimit siç ju ka udhëzuar Vjosa Osmani.

Konjufca madje pyeti deputetët e LDK-së se ku ishin kur Hashim Thaçi ua kishte shkarkuar Nekibe Kelmendin.

25/03/2020 14:06-Limaj: Qeveria Kurti ka rrezikuar rrëzimin që nga fillimi, jemi në këtë gjendje sepse nuk është treguar lidership

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Qeveria Kurti që nga fillimi i formimit të saj ka rrezikuar të rrëzohet me veprimet të cilat i ka bërë.

Limaj tha se gjendja politike është e tillë për shkak se qeveria nuk ka treguar lidership, për çka tha se përgjegjësia i bie kryeministrit, Albin Kurti.

“Qeveria e Kosovës çdo ditë e ka provokuar veten me u rrëzu. Nuk ka vend në botë që e rrëzon qeverinë në situatë të tillë. Veç nuk ka asnjë Qeveri në botë që e rrëzon veten në situatë të tillë”, tha Limaj.

Ai bëri apel për ministrat derisa janë në detyrë që të kryejnë punën e tyre, duke ndihmuar komunat e prekura nga coronavirusi (COVID-19).

“Ne sot jemi këtu miq, sepse nuk është treguar lidership, dhe na kanë sjell në këtë gjendje. Institucionet do të jenë në funksion edhe në këtë gjendje në të cilën jemi me pandeminë. Apeli im është që ministrat që janë në detyrat e tyre të fokusohen në komunat që kanë më shumë nevojë, ka kërkesa, ka nevojë, të ndihmohet më shumë në këtë kohë”, tha Limaj. /Telegrafi/

25/03/2020 13:38-Haradinaj, Kurtit: Jam më i zoti se ti 100 herë, se unë nuk i zgërdhihem para Bërnabiqit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj i ka replikuar ashpër kryeministrtit, Albin Kurtit i cili i tha se u ka mbetur merak ta hiqnin taksën, ashtu siç sipas Kurtit kishin vepruar me Demarkacionin.

Haradinaj duke u thirrur në një shkrim në Twitter të Kurtit pas telefonatës me kancelaren gjermane, Angela Merket, tha se shprehimisht Kurti e ka hequr taksën.

Në këtë replikoi, kryeministri Albin Kurti i cili i tha Haradinajt se u ka mbetur merak që për karrigen e kryeministrit ta heqin edhe taksën, ashtu siç kishin bërë me Demarkacionin.

Por, reagimi i Haradinajt ishte më i ashpër, duke i kërkuar kryeministrit të mos e fyente.

“Me të vërtetë e kuptoj tensionin se nuk e kanë ndjenjën e lehtë. Për patriotizëm personal shkollë ju mbaj të gjithëve, secilit një nga një. Nuk kam nevojë me kallxu patriotizëm”, ka thënë Haradinaj.

25/03/2020 13:37-Kuvendi shkon në pauzë

Në Kuvendin e Kosovës që nga ora 11:00 ka filluar seanca ku po diskutohet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Pas fjalës së shefave të grupeve parlamentare dhe kryeministrit Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani propozoi pauzë 10 minutëshe.

25/03/2020 13:33-Kusari-Lila: Sot jemi me maska, por kurrë më të zhveshur nuk e kemi pasur dinjitetin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se fotografitë e sotme në Kuvend do të hyjnë në histori dhe do të pasqyrohen nga mediat botërore, pasi i vetmi Kuvend që në kohën e pandemisë COVID-10 mblidhet për mocion mosbesimi.

Kusari duke folur para deputetëve kritikoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për përafrimin me Partinë Demokratike të Kosovës.

“... Këto fotografi të sotme do të hyjnë në histori, do të pasqyrohen nga mediat botërore. Jemi vendi i vetëm që po mblidhemi për mocion në kohën kur vendet e në botë po i zgjasin mandatet e Qeverive në detyrë. Nuk është çështja se LDK-ja nuk po merret vesh me kryeministrin”, tha ai.

Sipas saj, seanca e sotme në fakt ka filluar dy apo tre seanca më herët, ku përmes rezolutave kanë parë përafrim mes PDK-së dhe LDK-së.

“Mos u fshihni, se sot jemi me maska por kurrë më të zhveshur nuk e kemi pasur dinjitetin”, tha ajo.

25/03/2020 13:06-Kurti: Ka pasur tentim për puç ndaj Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti ka replikuar me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili i tha Kurtit se “ke humbur arsyen në luftën me presidentin”.

Ai ka ritheksuar edhe një herë se është mirë që në Kosovë nuk është shpallë gjendja e jashtëzakonshme, duke thënë se javën e kaluar ka pas tentim puç ndaj Qeverisë.

25/03/2020 12:58-Gashi i replikon Kurtit: Ke humbur arsyen, boll më

arben gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i ka replikuar kryeministri Albin Kurti pas deklaratave që i dha në Kuvendin e Kosovës.

Gashi iu drejtua Kurtit se “keni humbur arsyen në luftën me presidentin".

25/03/2020 12:49-Kurti: Pazaret e marrëveshja me Serbinë janë shkak për rrëzimin e Qeverisë, jo shkarkimi i Veliut

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha para deputetëve të Kuvendit se shkarkimi i ministrit Agim Veliu nuk është shkak për rrëzimin e Qeverisë, por marrëveshja e gatshme me Serbinë që nuk po e mbështetë.

Ai tha se këto pazare presidenciale janë të dëmshme dhe të rrezikshme dhe se nuk mund ta kenë atë si bashkëpunëtor dhe mbështetës.

Kurti bëri të ditur edhe atë që presidenti Thaçi i ka thënë në takim: “Kryeministër hiqe taksën, shkojmë në Uashington e arrijmë marrëveshjen edhe e heqim qafe Serbinë”.

Sipas tij, motori i kësaj pune është të s’postohet ai, të shpallet gjendja e jashtëzakonshme dhe të realizohet pazari i marrëveshjes së gatshme.

“Motori i nxitimit të shkarkimit të kësaj qeverie ka të bëj me marrëveshje të gatshme për shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Pazari presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë”, ka thënë Kurti.

“Me mu kryeministër dhe me këtë qeveri nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme pa kanë gjendje e jashtëzakonshme”, tha ai.

25/03/2020 12:27-Shala: Nisma-AKR mbështesin mocionin, kjo do të njihet si Qeveria më e shkurt në historinë e Kosovës

Shefi i grupit paralamentar të Nismës Soicialdemokrate, Haxhi Shala deklaroi në emër të grupit parlamentar Nisma-AKR, se do përkrahin mosionin e inicuar nga LDK-ja.

Shala tha se kjo do të mbahet mënd si qeveria më e shkurtë në historinë e Republikës së Kosovës.

90594542 1146861678990211 2776042800280502272 n

25/03/2020 12:26-Kurti: Jam krenar me këtë kabinet qeveritar dhe me të arriturat e tij

Kryeministri i vendit, Albin Kurti në një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se Qeveria sot është në ditën e 50 të saj dhe për këtë periudhë është krenar me këtë kabinet qeveritar dhe me të arriturat e tij.

Kurti bëri një rezyme të punës së Qeverisë për këto 50 ditë.

Ai tha se qysh në fillim të punës i ka përgjysmuar pagat e kabinetit qeveritar, por jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë.

“Dëshiruam të sjellim etikë në politikë”, tha ai.

Kurti përmendi edhe shkarkimin e koordinatorëve, që i quajti të panevojshëm, shkarkimin e bordeve, etj.

25/03/2020 12:23-Haradinaj: AAK përkrahë mocionin, lajm i mirë që qeveria po largohet bashkë me ministrin Veliu

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se AAK do ta përkrahë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Sipas Haradinajt është lajm i mirë që qeveria po largohet bashkë me ministrin Veliu.

“Shkarkimi i Veliut, i cili shkarkohet për një prononcim medial, na jep me kuptu që kemi të bëjmë me një vetërrëzim të planifikum të kësaj Qeverie. Është lajm i mirë që bashkë me atë ministër, po shkon edhe kjo Qeveri”, tha Haradinaj.

90590474 1086350641727366 4173010724672503808 n

o

25/03/2020 12:19-Lista serbe pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë

Lista serbe do të votojë pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Kështu bëri të ditur para deputetëve, Igor Simiq nga Lista serbe.

“Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë për popullin serb. Pra Lista Serbe do të votoj kundër kësaj qeverie”, tha ai.

25/03/2020 12:13-Krasniqi: PDK-ja voton pro mocionit të mosbesimit

90597102 1475551599292883 5014327717684838400 n

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se ky koalicion e ka dëshmuar papërgjegjësinë e vet, me kohën e gjatë që ka marrë për formimin e koalicionit dhe institucioneve.

Krasniqi tha se kryeministri Albin Kurti e ka vulosur vet fatin politik dhe këtë e cilësoi si një akt vetdorëzimi para përgjegjësive.

“Partia Demokratike e Kosovës do të votojë pro mocionit të mosbesimit. Kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë", tha Krasniqi, deklarata e zgjeruar.

25/03/2020 12:05-Albin Kurti arrin në Kuvend

2020/03/Albin-kurti-1.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur në Kuvendin e Kosovës ku tashmë ka nisur seanca për ta rrëzuar qeverinë që ai e drejton.

Albin Kurti 1 1

albin kurti 2

25/03/2020 12:01-Selimi, iniciuesve të mocionit: Po tradhtoni votuesit tuaj, shihemi në zgjedhje

selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha para deputetëve të Kosovës se në kohën kur bota po përballet me COVID-19, edhe Qeveria e Kosovës po e lufton me të gjithë kapacitetin e saj coronavirusin.

“Por oponentët politik sot kanë bërë aleancë me virusin për ta luftuar Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

“Deputetët që kanë iniciuar këtë mocion edhe mund ta braktisin interesin e qytetarëve, edhe mund ta tradhtoni votuesin tuaj që kësaj here. Do të takohemi prapë dhe do të përballemi në rrafshin politik dhe atë elektoral", ka thënë Selimi, deklarata e zgjeruar e Selimit.

25/03/2020 11:57-Gashi kërkon nga deputetët ta përkrahin rrëzimin e Qeverisë, thotë se Kurti po lufton me presidentin

2020/03/90608953_797149080695324_219921201936465920_n.jpg

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka paraqitur para deputetëve tekstin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Gashi ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi janë duke luftuar në mes vete.

“Pas në periudhe të gjatë mosveprimi për heqjen e taksës pas kërkesës së gjatë të SHBA-ve, dhe në kohën kur vendi ka nevojë për unitet të brendshëm në këtë kohë pandemie, Kurti vendosi ti jap fund marrëveshjes qeverisëse me LDK ku shkarkoi ministrin e punëve të brendshme pa konsultime me partnerin e koalicionit”, ka thënë Gashi.

25/03/2020 11:46-Seanca fillon me një minutë heshtje në nderim të aktores Leze Qena

Ka filluar të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës me një minutë heshtje në nderim të aktores Leze Qena, e cila ndërroi sot jetë në moshën 85 vjeçare.

25/03/2020 11:19-Deputetët dhe disa ministra të Qeverisë Kurti hyjnë në Kuvend

Disa deputetë dhe miinistra të Qeverisë Kurti tashmë kanë filluar të hyjnë në Kuvendin e Kosovës ku pritet të mbahet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë.

90608950 224153045657356 6287510441178431488 n

90632542 667870777305225 5806406286492827648 n

90651364 295940538092171 8396125193495379968 n

90765428 3105671579658750 8002433265484955648 n

90765869 2564032237145480 8614652579760046080 n

90783141 214879642907579 7422584471179755520 n

25/03/2020 11:16-Një qytetar në protestë para Kuvendit, largohet nga policia

Një qytetar është parë para Kuvendit të Kosovës, duke protestuar i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë, i cili ka deklaruar se po proteston kundër rrëzimit të qeverisë Kurti.

Personi në fjalë është udhëzuar nga Policia e Kosovës se duhej të largohej nga sheshi pranë Kuvendit, për shkak të vendimit të Qeverisë për kufizim të lëvizjes në orare të caktuara.

25/03/2020 10:56

Seanca është paraparë të fillojë në ora 11:00, disa deputetë tashmë kanë filluar të ulen në vendet e tyre.

90775765 2782099361904114 8814546254705983488 n