Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës e cila ishte paraparë të zhvillohet sot ka dështuar sërish të mbahet. Kjo pasi që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për konsultim, por që mes tyre nuk u arrit ndonjë kompromis.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka thënë se përfaqësuesit e partive politike braktisën konsultimet dhe si pasojë nuk pati kompromis.
“Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, më 19 prill në ora 12:00 me shpresë që deri atëherë do të ketë pajtueshmëri”, tha Dehari.
Seanca e 17 prillit ishte vazhdim i seancës të së martës (15 prill), ku dështoi të votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Pas dështimit të seancës ditën e martë, kryesuesit i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, i kishte shkruar letër presidentes Vjosa Osmani, ku e njoftoi për zhvillimet e ndodhura në seancë dhe kërkoi sugjerime se si të vazhdohet tutje.
E, pas letrës, presidentja citoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve.
Telegrafi do të ju mbajë të informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet në Kuvend
17/04/2025 14:41-Reagon Peci: Opozita po e pamundëson procedimin tutje të themelimit të institucioneve të reja
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Peci në reagimin e tij thotë se opozita braktisi takimin konsultativ, transmeton Telegrafi.
“Recedivistë në gabime! Pas mohimit të mandateve dhe bllokimit të seancës së parë të Kuvendit, opozita braktisi takimin konsultativ, dështuan sërish edhe në përpjekjen e dytë për të kontribuar në një zgjidhje institucionale”, theksoi ai.
Tutje, ai shtoi se me këtë sjellje recidiviste, opozita po e pamundëson procedimin tutje të themelimit të institucioneve të reja.
“Opozita e Kosovës po rrëshqet gjithnjë e më thellë në spiralen e bllokimit të institucioneve”, shkroi ai./Telegrafi/
17/04/2025 14:32-Haxhiu: Kemi votat për formimin e institucioneve, por duhen konsultime për zhbllokimin e Kuvendit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja, por ka nënvizuar rëndësinë e zhvillimit të konsultimeve për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Pas ndërprerjes së seancës të enjten nga kryesuesi Avni Dehari, Haxhiu u shpreh se mungesa e konsensusit gjatë takimit konsultativ ishte pengesa kryesore për të ecur përpara në këtë proces.
“Kryesuesi e ndërpreu seancën për shkak të mungesës së konsensusit në takimin konsultativ. Letra e dërguar nga presidentja tek kryesuesi kërkon gjetjen e një zgjidhjeje për të mos bllokuar konstituimin, dhe kjo kërkon konsultime. Nuk mund të arrijmë në një zgjidhje pa një proces të tillë”, theksoi ajo.
Haxhiu konfirmoi gatishmërinë e Vetëvendosjes për të kontribuar në çdo zgjidhje që do të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit.
“Si parti politike, jemi të përkushtuar që të korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit. Kemi vullnet të plotë për ta bërë këtë, por është e nevojshme të përcaktojmë mënyrën më të përshtatshme për ta arritur”, shtoi Haxhiu.
17/04/2025 13:59-Krasniqi tregon "skenarin e LVV-së": Partia fituese nga zgjedhjet e shkurtit uzurpoi të drejtën Kushtetuese të deputetëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se LVV uzurpoi një të drejtë Kushtetuese e ligjore të deputetëve të zgjedhur.
Ai pas mbylljes së seancës konstituive ka thënë se LVV e cila doli fituese nga zgjedhjet e shkurtit ka organizuar një skenar për uzurpimin e organit ligjvënës.
"Edhe ju si media edhe qytetarët u bëtë dëshmitar që partia që ka dal e para e uzurpon një të drejtë Kushtetuese për me pengu rrjedhën e seancës. Këta në mënyrë trë organizuar e kanë pas nëj skenar. Ja ku është skenari. Sot ka pas uzurpim partiak të institucionit të Kosovës”, tha ai.
Krasniqi tutje ftoi LVV-në që të mos të mbajnë peng institucionet e vendit, përcjell Telegrafi.
"Këta jo që s'kanë shumicë, por nuk janë as afër shumicës", tha ai duke iu referuar LVV-së. /Telegrafi/
17/04/2025 13:51-Abdixhiku: Po shihet qartë kush janë bllokuesit, pati kuorum e kushte për votim të raportit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se tashmë qytetarët e Kosovës e kanë shumë të qartë se kush janë bllokuesit e seancës konstituive.
Ai tha se kryesuesi e ndërpreu seancën ndonëse kishte kuorum dhe kushte për të votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve.
“Kryesuesi i seancës konstituive e që rastësisë të jetë më i vjetri në moshë dhe rastësisë të jetë nga partia e parë, pa të drejtë e kundër praktikës kushtetuese ndërpreu seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm dhe kushte për votim të raportit të Komisionit verifikues”, tha ai.
17/04/2025 13:31-Dështoi sërish seanca konstituive – nuk del në votim raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve
Sërish ka dështuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka thënë se pati përfaqësues të partive politike që braktisën konsultimet dhe si pasojë nuk pati kompromis.
“Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, më 19 prill në ora 12:00 me shpresë që deri atëherë do të ketë pajtueshmëri”, tha Dehari.
17/04/2025 12:54-Haxhiu: Ka tendenca të qarta nga opozita për bllokim të konstituimit të Kuvendit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kritikoi subjektet politike LDK, PDK dhe AAK se po tentojnë ta bllokojnë konstituimin e Kuvendit.
Haxhiu tha se është për t'u habitur qëndrimi i tyre, transmeton Telegrafi.
"Ne ishim në një takim konsultativ dhe është për t’u habitur që t'i dëgjosh qëndrimet e tyre. LDK-ja deklaroi se kryesuesi nuk ka të drejtë të thërrasë një takim konsultativ. AAK-ja u shpreh se duhet të vazhdohet aty ku kemi mbetur, por ne nuk mund të ecim përpara me betim, përderisa ende nuk është verifikuar mandati i deputetëve. Nga ana tjetër, befasia e radhës ishte qëndrimi i PDK-së, e cila kërkoi dorëheqjen tonë. Nuk e kuptoj çfarë pritet më — a duhet të dalim në shesh për ta bërë të qartë që dorëheqja është dhënë tashmë?", u shpreh Haxhiu.
Ajo shtoi se "në këto rrethana, nuk kemi qartësi se si do të veprohet më tej. Ka tendenca të qarta për të bllokuar konstituimin e Kuvendit"./Telegrafi/
17/04/2025 12:50-Kadrijaj e AAK-së: Seanca duhet të vazhdojë ku ka mbet, jo të formohet sërish Komisioni Ad hoc
Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në një deklaratë para mediave tha se seanca duhet të vazhdojë ku ka mbetur dhe jo të formohet sërish Komision Ad hoc.
Ajo tha se nuk duhet të thirren konsulta shtesë, por seanca të vazhdojë ku ka mbetur.
“... ka qenë një komision Ad hoc që e ka kryer punën e tij, raporti është sjell në Kuvend, është deshtë me vazhdu ku ka mbet procesi... “, tha ajo.
17/04/2025 12:49-Kica-Xhelili nga LDK: Takimi konsultues i ftuar nga Dehari është rast i paprecedent
Doarsa Kica-Xhelili nga LDK ka thënë se ky është një rast i paprecedent, pasi kryesuesi i seancës nuk ka të drejtë të ftojë akterët e partive në një takim konsultues në këtë fazë.
Ajo para mediave tha se ajo çka duhet të bëhet në këtë fazë është ta vendos raportin në rivotim.
“Kjo që sapo bëri kryesuesi është rast i paprecedent…kryesuesi nuk ka të drejtë të ftojë akterët në këtë rast. Ajo çka mund të bëj është që ta qes në rivotim raportin. Përfaqësuesit e LDK-së shkuan për ta diskutuar këtë çështje. Nuk ka nevojë që të ftojë partitë politike në këtë fazë”, ka thënë ajo.
Tutje ajo se qëndrimi ynë nuk ndryshon dhe se e vetmja mënyrë e paprecedent është se si këta sillen më rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, Hykmete Bajrami nga kjo parti tha se nuk diskutuan asgjë në këtë takim konsultues.
“Pasi Dehari nuk ka të drejtë të thërras për konsultim anëtarët e partive politike”, tha ajo.
17/04/2025 12:33-Nis seanca, Dehari fton përfaqësuesit e subjekteve politike për konsultim
Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës konstituive të legjislaturës së IX-të, Avni Dehari, në fillim të seancës i thirri në takim përfaqësuesit e partive politike për konsultim.
“I ftoj përfaqësuesit e partive politike të konsultohemi, në mënyrë që të mos bëjmë ndonjë shkelje të Kushtetutës”, tha ai.
17/04/2025 12:32-PDK nuk do ta votojë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se as PDK nuk do ta votojë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Ai tha se në mungesë të rrethanave dhe të vazhdimit të kontekstit të njëjtë, PDK mban qëndrimin e njëjtë.
“Është seanca e njëjtë, por është vazhdimi i saj. Në mungesë të rrethanave dhe vazhdimit të kontekstit edhe qëndrimi vazhdon të jetë i njëjtë”, ka thënë ai.
17/04/2025 12:31-Limaj shpreson se do të konstituohet Kuvendi i Kosovës, nuk tregon nëse ka marrëveshje
Kryetari i Nisma Socialdemokratike, Fatmir Limaj ka thënë se sot shpreson se do të konstituohet Kuvendi i Kosovës sipas procedurave.
Ai këtë deklaratë e tha duke shkuar për në objektin e Kuvendit të Kosovës.
I pyetur nga gazetarët se nëse ka arrit ndonjë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, ai nuk konfirmoi një gjë të tillë.
“Shpresoj se do të konstituohet Kuvendi sipas procedurave…”, ka thënë Limaj.
17/04/2025 12:24-Haradinaj deklarohet para vazhdimit të seancës konstituive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se shpreson që “të zgjidhet çështja e dorëheqjeve” derisa theksoi se si AAK janë të interesuar për konstituimin e Kuvendit. Por ai tha se nuk mund të votojnë “shkelje ligjore”.
Ai tha se mirë është që janë respektuar afatet ligjore, 48 orë të vazhdimit
"Mirë është që janë respektuar afatet ligjore, 48 orë të vazhdimit. Shpresoj që do të zgjidhet çështja e dorëheqjeve she do të mund të vazhdojmë. Si aleancë e mbështesim konstituimin e kuvendit, por nuk guxojmë të votojmë shkelje ligjore", tha Haradinaj para vazhdimit të seancës konstituive.
17/04/2025 12:03-Abdixhiku: LDK nuk e voton raportin për verifikimin e mandatit të deputetit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandatit të deputetit.
Abdixhiku deklaroi se nuk mund ta shkelin Kushtetutën.
“Qëndrim i pandryshueshëm, Nuk mund të votojmë një shkelje të Kushtetutës. Deputetet e LDK-së, nuk mund ta shkelin Kushtetutën. Logjikë e thjesht, nuk mund të jesh edhe deputet edhe ministër. Qëndrimi ynë mbetet i njëtë”, tha kreu i LDK-së, para mediave.
Seanca pritet të fillojë në ora 12:00./Telegrafi/
17/04/2025 12:01-Kurti hyn në Kuvend, nuk përgjigjet nëse i kanë siguruar numrat
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tashmë ka hyrë në Kuvendin e Kosovës ku pritet të fillojë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Para mediave ai nuk ka treguar nëse i ka numrat për konstitumin e Kuvendit.
Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot në ora 12:00.
17/04/2025 11:49-Deputeti i LVV-së mohon se kanë marrëveshje me Nismën Socialdemokrate
Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, deklaroi se i kanë numrat për formimin e Qeverisë, derisa tha se tashmë kanë edhe emrin e kryeparlamentarit.
Megjithatë, Rexhaj pohoi se i takon kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ta publikon emrin e kryeparlamentarit e po ashtu edhe përbërjen e kabinetit qeveritar.
"Kryeministri e ka emrin, atë do ta shpalos para qytetarëve. I takon atij, nuk kemi ndonjë marrëveshje me Nismën", tha ai.
Seanca pritet të fillojë në ora 12:00.
17/04/2025 11:45-Vazhdimi i seancës konstituive, Gërvalla: Gjithçka varet nga vullneti i opozitës
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla deklaroi se nëse opozita nuk bllokon konstituimin, do të vazhdojnë me procedura.
E pyetur nga gazetarët nëse kanë ndonjë marrëveshje me subjektet politike ajo tha se kjo gjë do të shihet sot.
“Mbetet të shihet sot, gjithçka varet nga vullneti i opozitës. Presidentja ju ka treguar se seanca konstituive nuk bëhet për të bllokuar, por në sensin e zhbllokimit. Jemi të siguruar që po vazhdohet seanca”, tha Gërvalla.
17/04/2025 11:35-Deputetja e AAK-së, Kadrijaj: Kemi vija të kuqe për LVV-në
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë, Time Kadrijaj, para se të hynte në sallën e Kuvendit, deklaroi se për partinë Vetëvendosje kanë vetëm vija të kuqe.
Ajo para mediave tha se do të bisedojnë me deputetët nëse do ta votojnë raportin e verifikimit të mandatit të deputetit, pasi Albin Kurti nuk ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit
"Nuk kemi pasur diskutime me LVV, kemi vija të kuqe. Nuk e dimë se kush do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit", tha ajo.