Deputeti i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë para mediave se situata edhe sot duket të jetë e njëjtë sikurse herave të kaluara.

Ai ka thënë se nuk ka parë ndonjë lëvizje për të pritur diçka ndryshe sot.


“Unë nuk kam parë ndonjë lëvizje për të pritur diçka më ndryshe nga seancat e kaluara. Pritet të jetë e njëjta gjë. Ky është realiteti”, tha Limaj.

Limaj shtoi se vota e tyre do të jetë e njëjtë si herën e kaluar.

“Zgjidhja është që LVV të bëjë përpjekjet e mundshme për të ndërtuar shumicën parlamentare, pra koalicion qeverisës. Procesi i ndërtimit të institucioneve gjithmonë ka marrë kohën e vet sikurse 2014 dhe 2017 dhe nuk është se po bëhet dramë”, tha Limaj.

Ai shtoi se e vetmja rrugë është të ketë marrëveshje politike.

“Besoj që kjo do të jetë e vetmja rrugë që përmes marrëveshjeve politike të ndërtohet shumica në parlament ku do të zgjidhej edhe kryetari i Kuvendit edhe Qeveria. Nisma do të japë kontributin maksimal për të evituar procesin e zgjedhjeve që është i panevojshëm por jo me çdo kusht”, tha Limaj. /Telegrafi/