Lidhja e Bizneseve të Kosovës dhe ambasadori i Shqipërisë, Malaj vizituan Korporatën “Devolli Group”

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), Besart Dreshaj, së bashku me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, realizuan një vizitë zyrtare në Korporatën “Devolli Group”, një nga kompanitë anëtare të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës dhe një nga shembujt më të suksesshëm të sektorit prodhues në vend.
Në njoftimin për media thuhet se delegacioni u prit nga Blerim Devolli, pronar i Korporatës “Devolli Group”, me të cilin u diskutua rreth mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik, forcimit të kapaciteteve prodhuese dhe zgjerimit të eksportit, si dhe sfidave aktuale të klimës së biznesit në Kosovë.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e mbështetjes së ndërmarrjeve vendore dhe roli kyç që luajnë kompanitë si “Devolli Group” në zhvillimin e industrisë kombëtare dhe promovimin e produkteve “Made in Kosovo” në tregjet ndërkombëtare.
Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm në fuqizimin e ekonomisë vendore, Lidhja e Bizneseve të Kosovës i akordoi Korporatës “Devolli Group”, një Mirënjohje të veçantë.
Përmes vizionit strategjik, inovacionit të qëndrueshëm dhe përkushtimit ndaj standardeve më të larta, “Devolli Group ” është shndërruar në një ndërmarrje model, duke ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese.
Nëpërmjet cilësisë së lartë të produkteve të saj, kjo korporatë ka afirmuar me dinjitet Republikën e Kosovës në tregjet evropiane dhe më gjerë, duke forcuar identitetin ekonomik kombëtar.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen e saj të plotë për Devolli Group në rrugëtimin e tyre të suksesshëm drejt zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të vendit.
“Kosova ka nevojë për shembuj të tillë suksesi për ta fuqizuar rrugën e saj drejt një të ardhmeje më të mirë ekonomike”, thuhet në njoftim.
Pjesë e delegacionit nga Lidhja e Bizneseve ishin: Besart Dreshaj- Kryetar; Hashim Deshishku - korporata Llesna; Brahim Selimaj- Elsa Group; Gezon Berisha- Shkembi Gllareve&AlbaKos Mustafë Krasniqi- Kent Contruction.






















































