LAJMI I FUNDIT:

Laseri në gjinekologji – ngushtimi i vagjinës, mjekimi i urinimit të pavullnetshëm dhe labioplastika

Laseri në gjinekologji – ngushtimi i vagjinës, mjekimi i urinimit të pavullnetshëm dhe labioplastika

Intervenimet laserike në gjinekologji janë gjithmonë e më të kërkuara e të popullarizuara në Evropë dhe në botë. Fillimisht laseri është përdorur në kirurgjinë e syrit, por sot po gjen zbatim në gjinekologji, dermatologji, stomatologji etj.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Terapia laserike po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në terapinë e problemeve shëndetësore. Trajtimet laserike në gjinekologji janë dyllojesh, ato mund të bëhen për arsye estetike (zbardhja e regjionit vaginal dhe anal, labiaplastika ose zvogëlimi laserik i buzëve të vagjinës) ose për arsye mjekësore si psh., mjekimi i urinimit të pavullnetshëm (stres inkontinenca e urinës, ngushtimi i vagjinës, heqja e kondilomave, trajtimi i ndryshimeve në qafën e mitrës etj).


Rreth 40% e grave në moshën mbi 35 vjeç vuajnë nga ndonjë formë e parehatisë gjatë marrëdhënieve seksuale ose nga rrjedhja e pavullnetshme e urinës për shkak të relaksimit të mureve të vagjinës. Me kalimin e viteve ulet elasticiteti i mureve të vagjinës. Përveç moshës në relaksimin e mureve, ndikojnë edhe shtatzënitë dhe lindjet, faktori gjenetik dhe lëndimet.

Kënaqësia seksuale varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga forcat e fërkimit të cilat ndikohen nga elasticiteti i mureve të vagjinës. Nëse muret e vaginës janë të plogështa, atëherë ajo grua nuk ndien kënaqësi seksuale, por përveç saj edhe partneri i saj nuk ndien kënaqësi. Ky fenomen quhet sindromi i relaksimit të vaginës i cili shfaqet pas shtatzënive dhe lindjeve si dhe në menopauzë (si pasojë e rënies së nivelit të hormoneve dhe atrofisë së vagjinës).

Shumica e njerëzve i konsiderojnë marrëdhëniet seksuale si një nga kënaqësitë kryesore të jetës dhe si një indikator të marrëdhënieve të mira me partnerin. Është e vërtetë se në kënaqësinë seksuale ndikojnë shumë faktorë, por vetëvlerësimi pozitiv është një nga faktorët kryesorë. Faktori kyç i kënaqësisë seksuale për një grua është kur ndjehet se është tërheqëse, atraktive dhe seksi për partnerin e saj. Mendimet negative lidhur me trupin e saj ndikojnë dukshëm në përvojën seksuale të asaj gruaje dhe këto mendime janë më të shprehura me kalimin e moshës si pasojë e faktorëve që i përmendëm më sipër.

A. Ngushtimi i vagjinës me laser (vaginoplastika joinvazive me laser) ose rinimi laserik i vagjinës e përmirëson në mënyrë efikase tonusin dhe fortësinë e mureve të vaginës. Terapia me laser poashtu e ngushton diametrin e saj. Domethënë, me ngushtimin e diametrit të vaginës përmirësohen dukshëm senzacionet seksuale. Këto efekte pozitive shihen në 94% të rasteve brenda periudhës kohore 120 ditëshe. Në asnjë rast nuk janë përshkruar komplikacione ose ndonjë përkeqësim i gjendjes. Vaginoplastika joinvazive me laser është procedurë e thjeshtë dhe plotësisht e padhimbshme e cila qysh pas tretmanit të parë e zgjidhë problemin dhe e parandalon nevojën për operacion kirurgjik.

Shërimi është i shpejtë dhe nuk ka nevojë për marrjen e antibiotikëve ose analgjetikëve. Nuk ka nevojë për përgatitje speciale para intervenimit dhe nuk ka ndonjë kufizim pas intervenimit, kështu që ajo grua mund t’i kthehet menjëherë aktiviteteve të zakonshme të përditshme. Intervenimi zgjatë 30-45 minuta dhe kryhet përmes një instrumenti special i cili futet në kavitetin e vaginës. Ky instrument emiton valët laserike të cilat stimulojnë rigjenerimin e kolagjenit.

Pas këtij intervenimi shumë shpejt përmirësohet tonusi dhe forca e muskujve të vaginës dhe të dyshemesë së pelvikut dhe si rrjedhojë rregullohet funksionimi i tyre. Për 14 ditë pas intervenimit ajo grua nuk rekomandohet që të bëjë punë të rënda fizike dhe të merret me aktivitete sportive. Nuk ka rrezik për gjakderdhje, djegie ose parehati gjatë marrëdhënieve seksuale. Vizita e parë pas intervenimit bëhet pas 30 dhe më pas pas 60 ditësh. Normalisht, që efekti vjen duke u zbehur me kalimin e viteve, sepse me këtë metodë nuk mund të ndalohet dobësimi i indit të kolagjenit që vjen si pasojë e moshës.

B. Stres inkontinenca e urinës (SIU) është rrjedhja e pavullnetshme e urinës e cila shfaqet kur rritet presioni në fshikëzën e urinës, për shembull gjatë kollitjes, teshtitjes, të qeshurit, gjatë ushtrimeve ose kur ajo grua e peshon ndonjë objekt të rëndë. Stres inkontinenca është pasojë e dobësimit të muskujve të dyshemesë së pelvikut mbi të cilët mbështetet fshikëza urinare.

Faktorët tjerë të cilët mund ta theksojnë këtë problem janë duhanpirja, obeziteti, sëmundjet të cilat shkaktojnë kollitje kronike, pirja e alkoolit, menopauza dhe marrja e disa barnave. Një nga opcionet e mjekimit të inkontinencës është rregullimi i ritmit të zbrazjes së fshikëzës së urinës, mënyra e shëndetshme e të jetuarit dhe ushtrimet e Kegelit. Opcioni tjetër është operacioni kirurgjik i cili sipas disa studimeve i zvogëlon forcat e fërkimit gjatë marrëdhënieve seksuale dhe rrjedhimit ndikon negativisht në kënaqësinë seksuale. Opcioni i tretë është terapia me laser e cila ndikon në procesin e metabolizimit të kolagjenit duke e stimuluar formimin e tij dhe në “shtrëngimin” e mureve të vaginës. Ky shtrëngim i mureve të vaginës i përmirëson senzacionet seksuale gjatë marrëdhënieve seksuale, por poashtu ndikon që fshikëza e urinës dhe uretra të mbështeten më mirë mbi muret e vaginës dhe rrjedhimisht zvogëlohen problemet e rrjedhjes së pavullnetshme të urinës.

Me laser mund të bëhet edhe labioplastika ose zvogëlimi i buzëve të vagjinës. Ky intervenim kryhet në mënyrë ambulantore.

Me laser mund të trajtohet vulva dhe regjioni përreth anusit ku me kalimin e kohës grumbullohet melanina dhe ky regjion merr ngjyrë të errët. Nëse ky ndyshim i pengon pacientes, atëherë përmes laserit mund të zbardhet lëkura në këtë pjesë të trupit. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori