Ndërsa skuadra e parë e Barcelonës po ndjek ëndrrën për të fituar tre trofe (ose më saktë, edhe dy trofe të mëdhenj të mbetur në garë), një ekip tjetër brenda klubit e ka përmbyllur tashmë një sezon historik.  

Bëhet fjalë për skuadrën Juvenil A, pra ekipin U19, e cila ka triumfuar në Ligën e të Rinjve duke mposhtur Trabzonsporin me rezultatin 4-1.  


Ky sukses vjen pas fitoreve në Kupën Kombëtare për të rinj (me një rezultat bindës 5-0 ndaj Real Zaragozës në finale) dhe në kampionat, duke kompletuar kështu një tripletë të artë për djemtë e trajnerit Juliano Belletti – po, ai Belletti që vendosi finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2006 ndaj Arsenalit. 

Tripletë e të rinjve që frymëzon të mëdhenjtë 

Teksa të rinjtë kanë bërë historinë, tani radha është te skuadrat e para – si ajo e meshkujve, e drejtuar nga Hansi Flick, e cila ka fituar së fundmi Kupën e Mbretit, kryeson La Ligën me katër pikë më shumë se Real Madridi dhe është në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, ku takohet me Interin.  

Po ashtu, edhe ekipi i femrave i Barcelonës, i drejtuar nga Pere Romeu, është në rrugë të shkëlqyer: kryeson kampionatin me një pikë avantazh dhe një ndeshje më pak se Real Madridi, është në finalen e Kupës së Spanjës ndaj Atlético Madridit dhe gjithashtu në finalen e Ligës së Kampionëve, ku përballen me Arsenalin. 

Në të gjitha nivelet, klubi katalanas është shumë pranë një arritjeje unike historike, me të gjitha ekipet e tij konkurruese që luftojnë për të fituar gjithçka. 

Talentet e La Masia-s që po rriten 

Pavarësisht se a do ta realizojnë ëndrrën skuadrat e mëdha apo jo, tashmë ka diçka për të festuar: suksesi i jashtëzakonshëm i të rinjve të La Masia-s.  

Në rrugëtimin drejt triumfit, ata kanë eliminuar emra të njohur si Dinamo Zagreb, Aston Villa, Stuttgart dhe AZ Alkmaar para finales me Trabzonsporin. 

Kjo është një gjeneratë e re e artë, dhe shumë prej emrave që shkëlqyen këtë sezon pritet të jenë pjesë e titujve të mëdhenj në vitet që vijnë. /Telegrafi/  

telegrafi sport app