Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur seancën e tretë të rregullt, ku është mbështetur një iniciativë e rëndësishme në favor të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë kësaj seance, të gjithë asamblistët kanë votuar pro lirimit nga pagesa për shërbimet shëndetësore për pjesëtarët e FSK-së në të gjitha institucionet shëndetësore që menaxhohen nga Komuna e Gjilanit.


Kjo iniciativë u propozua nga asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gentrit Murseli, i cili përmes një video-mesazhi ka bërë të ditur se propozimi i tij u mbështet njëzëri nga të gjithë anëtarët e Kuvendit, pa dallim partie.

“Ky është një vendim që nuk ka vetëm impakt financiar, por gjithashtu reflekton respektin dhe konsideratën institucionale për pjesëtarët e FSK-së”, ka deklaruar Murseli. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje kuvendeve të tjera komunale në Kosovë që të ndërmarrin hapa të ngjashëm për të liruar nga pagesa pjesëtarët e FSK-së, Policisë dhe zjarrfikësve, të paktën deri në momentin kur do të hyjë në fuqi dhe do të zbatohet Ligji për Sigurime Shëndetësore.

Në fund, Murseli ka falënderuar të gjithë ata që mbështetën këtë iniciativë, duke veçuar kontributin e Nëntokolonelit të FSK-së, Arben Avdyli, Kapitenit Durim Behluli dhe Togerit Luan Haradinaj. /Telegrafi/