Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim për caktimin e masës së përkohshme për ndalimin e çdo veprimi nga deputetët e e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë pas ankesës së Listës Serbe. 

“Të caktojë ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.


Po ashtu Kushtetuesja ka vendosur që masa e përkohshme të hyjë në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025.

Më poshtë lexoni vendimin e Kushtetueses:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur, ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve, masë të përkohshme në rastin KO265/25, të parashtruar nga: Igor Simic dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025.

Gjykata, më 4 shtator 2025, ka vendosur njëzëri:

TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë;

TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025;

T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;

TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;

 Ky Vendim hyn në fuqi më 5 shtator 2025. /Telegrafi/