LAJMI I FUNDIT:

Kurti takohet me udhëheqës të dy partive boshnjake në Bosnjë, bisedon për rritjen e bashkëpunimit

Kurti takohet me udhëheqës të dy partive boshnjake në Bosnjë, bisedon për rritjen e bashkëpunimit

Në Sarajevë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, krahas takimeve me drejtues të institucioneve, ka zhvilluar takime edhe me drejtues të partive politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, përkatësisht me Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq dhe Kryetarin e Partisë për Bosnjën dhe Hercegovinën (Stranzka za BiH), Semir Efendiq.

Kryeministri fillimisht u mirëprit nga Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Izetbegoviq me të cilin diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, zhvillimet në të dy vende dhe mundësitë dhe sfidat e përbashkëta.

Kryetari Izetbegoviq e falënderoi për vizitën, me ç’rast i dhuroi kryeministrit librin e babait të tij, ish presidentit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviq, “Alija Izetbegoviq: Vepra 3”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.


Pastaj, u mirëprit nga Kryetari Partisë për Bosnjën dhe Hercegovinën, Semir Efendiq. Edhe me të diskutuan për raportet ndërmjet dy vendeve dhe për rritjen e bashkëpunimit.

Efendiq e falënderoi kryeministrin për vizitën dhe për vendimin e Qeverisë që të mundësojë udhëtimin e lirshëm të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftim në Kosovë duke filluar nga 1 janari 2025.

Pas këtyre takimeve, kryeministri Kurti do të marrë pjesë si folës kryesor në një diskutim rreth bashkëpunimit dhe marrëdhënieve rajonale të organizuar nga organizata joqeveritare, Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”. /Telegrafi/