Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas përfundimit të takimit me presidentin Hashim Thaçj tha se në këtë takim kanë shprehur bindjen se Kushtetuta e Kosovës nuk krijon mundësi në kontekstin aktual politik të ketë qeveri të re, pa Kuvend dhe zgjedhje të reja.

Kurti, i cili ishte i shoqëruar në takim me dy këshilltarë ligjor tha se në këtë takim kanë shprehur qëndrimin që besojnë se është i drejtë dhe i vetmi në bazë të Kushtetutës, se nuk mund të kalohet dikur tjetër duke e shpërfillur nenin 82, pikën 2 të Kushtetutës, që thotë se pas një mocioni të mosbesimit ajo që ngelet është të shkohet në zgjedhje.


Sipas tij, presidenti Thaçi u zotua se do ta respektojë Kushtetutën, ligjin dhe praktikat e mëhershme, raporton Telegrafi.

03

Ai tha se edhe në vitin 2010 edhe 2017 me mocion mosbesimi të suksesshëm ka ra qeveria dhe më pas është shpërndarë Kuvendi dhe janë shpallë zgjedhjet.

Kryetari i VV-së theksoi se presidenti nuk duhet të merret me emra njerëzish e partish, por me data për zgjedhje të reja në kalendarin e këtij viti.

“Ne e theksuam këtë qëndrim tonin që presidenti nuk do të duhej të merrej me emra njerëzish e partish  por data për zgjedhjet e reja në kalendarin e këtij vitit. E dimë që ndodhemi në betejën intesive kundër virusit korona dhe mbase kjo do të mund ta shtyjë ca datën e zgjedhjeve, mirë Kushtetuta e Kosovës besojmë që nuk krijon mundësi dhe apo alternativa tjera”, tha ndër të tjera Kurti.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes tha se jashtë nenit 82 të Kushtetutës dhe jashtë COVID-it do të diskutojnë vetëm me shkrim në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqkuptime.

Ndryshe, në këtë takim përveç situatës politike është folur edhe për punën që po bëhet për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. /Telegrafi/