Ngërçi politik, Kurti: Ofruam dy kompromise, s’ka pasur hapa nga pala tjetër

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot nga Podujeva ka folur lidhur me ngërçin politik dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai pas ceremonisë së përurimit të shërbimit të hemodializës në Podujevë tha se kanë ofruar dy kompromise, por që nuk ka pasur hapa nga palët tjera.
“Ne kemi ofruar dy kompromise, i pari ka qenë që në rastin e votimit të fshehtë, nëse nuk zgjidhet me të parën kandidatja Albulena Haxhiu, atëherë do të sjellim emër tjetër.
Kompromisi i dytë ka qenë që të merremi vesh për paketën ku bën pjesë kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe më pastaj të kthehemi te votimi i hapur. Ne kemi bërë hapa, nuk ka pasur hapa nga pala tjetër dhe mos harroni që kur Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin paraprak na pati thënë me pikën e veçantë se marrëveshjet politike duhet të arrihen ndërmjet grupeve parlamentare, sepse mosmarrëveshjet nuk i zgjidh gjykata, menjëherë dy partitë opozitare kryesore dërguan sërish lëndë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Kurti, raporton Telegrafi.
Sipas tij, PDK dhe LDK sërish iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese pavarësisht aktgjykimit ku kërkohej marrëveshje politike ndërmjet grupeve parlamentare.
“Pra, nëse Kushtetuesja thotë uluni merruni vesh ti nuk shkon prapë në gjykatë me dërgu raste të reja. Ne nuk e kemi bërë si Lëvizje Vetëvendosje, ndërkaq PDK e LDK kanë shkuar menjëherë në gjykatë thuajse nuk ekzistonte ai aktgjykim paraprak...”, tha Kurti.
Tutje, ai shtoi se u ka shkruar edhe letra udhëheqësve të partive tjera politike për t’u takuar e bashkëbiseduar.
“Aktgjykimin ne e kemi respektuar dhe jam unë që kam shkruar letra për tu takuar e bashkëbiseduar, me konsulta konstruktive, por deri tani nuk kemi pasur sukses”, tha ai.
Kryeministri në detyrë shtoi se është dëm që nuk është konstituar kuvendi në mënyrë që të bëhet qeveria e re.
“Është dëm që nuk është konstituuar Kuvendi në mënyrë që të themelohet qeveria e re, ndërkohë i kom kompetencat e kufizuara... por, për besë nuk kam më pak punë se më herët, veçse më shumë..., shtoi Kurti. /Telegrafi/














































