Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka zhvilluar një takim me drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, kolonel Lumni Graishta. Gjatë takimit, ata kanë diskutuar mbi mundësitë e përmirësimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe avancimin e projekteve të përbashkëta që kanë si objektiv sigurimin e territorit të komunës së Malishevës.

Kryetari Kastrati ka falënderuar Policinë e Kosovës, përfshirë Stacionin Policor të Malishevës dhe Drejtorinë Rajonale në Gjakovë, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë në realizimin e projekteve që kanë për qëllim zhvillimin e komunës, me theks të veçantë në procesin e lirimit të hapësirave publike në qytetin e Malishevës.


Po ashtu, ata kanë diskutuar edhe për çështje të tjera të sigurisë që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të kësaj komune.

Në fund të takimit, të dyja palët u angazhuan për vazhdimin e bashkëpunimit të frytshëm, me qëllim rritjen e sigurisë për qytetarët e Malishevës, duke shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar mundësinë e krijimit të mundësive të reja bashkëpunimi, veçanërisht në fushën e sigurisë në shkolla.