Në kohën kur ishte paraparë raportimi i kryeministrit, Hashim Thaçi, dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri, kishin shpalosur një pankartë me mbi shkrimin “Kosova e Hashimit”.

Me këtë rast kryeministri Thaçi ka vlerësuar se nuk plotësoheshin kushtet për raportim, duke u larguar nga foltorja e duke e shtyrë kështu kryesuesin e seancës, Sabri Hamiti, të merrte vendim për një pauzë 15 minutëshe.


Pas pauzës, deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica, ka arsyetuar refuzimin e shefit të tij për të raportuar para deputetëve, duke shtuar se një gjë e tillë i ishte pamundësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje

Por, Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri, ka kërkuar që raportimi i kryeministrit të ndodh nesër.

“Debati të mbahet nesër. Kryeministri e ka për obligim, sipas rezolutës, që ai të raportojë në Kuvend. Nuk mund të bëjmë debat pa raportim të tij”, ka theksuar Beqiri, transmeton Kosovapress.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë se Vetëvendosja kërkoi që raportimi të vazhdonte sot.

“Mundësi ka pasur të vazhdojë pas 15 minutave dhe ai nuk është kthyer”, ka theksuar Aliu.

Ndërkohë, edhe Shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se nuk është ide e keqe që të ftohet nesër Kryeministri dhe të bëjë paraqitjen para deputetëve.

“Edhe për një kohë që vjen Kosova ka me paguar çmim për një qeverisje të keqe”, ka theksuar Gjini.

Shefja e GP të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmanaj, ka kërkuar raportim të kryeministrit gjatë ditës së nesërme. Por, deputeti Ilmi Reçica ka thënë se kryeministri nesër nuk mund të vijë të raportoj, pasi që ka për të udhëtuar për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Sipas tij, raportimi mund të ndodhë nga ora 19:00 deri në 20:00 në mbrëmje.

Më pas, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se kjo praktikë nuk ekziston në asnjë vend ku funksionon demokracia. Krasniqi ka thënë se kryeministri mbret mund të jetë në Kryeministri, por edhe në Parlament.

“Kryeministri është mbret në Kryeministri, por jo në Parlament. Agjendën e kemi të caktuar për sot e nesër nuk mund të caktojmë agjenda tjera”, ka thënë Krasniqi. /Telegrafi/