KRU “Gjakova” reagon ndaj grumbullimit të ujërave atmosferike në rrugën “Ali Hasi”

Në rrugën “Ali Hasi” në Gjakovë është paraqitur një problem me grumbullimin e ujërave atmosferike, si pasojë e mbylljes së ujëmbledhësve dhe dëmtimit të rrugës, çka ka shkaktuar vështirësi në qarkullim për qytetarët.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se ky problem nuk hyn në fushën e saj të kompetencave, pasi lidhet me infrastrukturën e kanalizimit atmosferik, e cila nuk menaxhohet nga kompania, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, ekipet teknike të KRU “Gjakova” ndodhen në terren dhe po ndërmarrin masa të përkohshme për lehtësimin e situatës, me qëllim që të sigurohet qarkullimi më i lehtë dhe siguria e qytetarëve.
Kompania ka theksuar se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përgjegjëse për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen. /Telegrafi/



















































