KRM "Pastrimi" del me apel për banorët e lagjes Dardania në Prishtinë

Ekipet e Kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” kanë intervenuar ditëve të fundit në lagjen “Dardania”, ku u konstatua hedhja masive e mbeturinave jashtë kontejnerëve, pavarësisht se këto të fundit ishin të zbrazur.
Nga KRM “Pastrimi” bëjnë të ditur se kjo situatë nuk shkaktohet nga mungesa e shërbimit, por nga sjellja e pakontrolluar dhe e papërgjegjshme e qytetarëve.
“Kontejnerët janë për mbeturina shtëpiake dhe nuk duhet të përdoren për mbeturina voluminoze, materiale inerte apo pajisje të vjetra shtëpiake”, njoftojnë nga kompania.
Ata apeluan për bashkëpunim dhe kujdes të shtuar nga qytetarët, duke theksuar se pastërtia e qytetit është përgjegjësi e përbashkët.
“Ne pastrojmë, por pa bashkëpunimin tuaj, kjo betejë bëhet shumë më e vështirë. Faleminderit të gjithë atyre që respektojnë rregullat dhe kontribuojnë çdo ditë për një qytet më të pastër”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/




















































