Kriza me mbeturinat, nga Komuna e Prishtinës thonë se grumbullimi i punëtorëve të “Pastrimit” është i panevojshëm

Pasi punëtorët e kompanisë rajonale “Pastrimi” kanë hyrë në grevë dhe janë grumbulluar para objektit të Komunës së Prishtinës, autoritetet komunale kanë reaguar duke e quajtur këtë veprim të panevojshëm.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se po bën gjithçka për tejkalimin e situatës së rënduar me grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Ka kohë që Kryeqyteti është angazhuar për zgjidhjen e situatës së krijuar me mbeturinat. Prandaj, përderisa Kryeqyteti, është duke bërë gjithcka për tejkalimin e kësaj gjendje konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm”, shkruhet në postim.
Po ashtu në postim thuhet se keqpërdorimi i kompanisë “Pastrimi” për qëllime politike nga menaxhmenti është i papranueshëm dhe nuk duhet të vazhdojë.
“Siç ju kemi njoftuar, Kryeqyteti ka nënshkruar kontratën me Kompaninë Regjionale të Pastrimit, në vlerë prej 1.5 milion euro, për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytet. Presim nënshkrimin e kësaj kontrate edhe nga Kompania Regjionale ‘Pastrimi’, me qëllim që punëtorët t’i kthehen punës dhe angazhimit të tyre në Kryeqytet”, thuhet në postim. /Telegrafi/


















































