Krijimi identitetit individual dhe identitetit kolektiv

Në shoqërinë moderne koncepti identitetit, individualizmit, kolektivizmit, etj. janë temat më aktuale dhe më të debatueshme. Në literaturën filozofike dhe në shkencat sociale në përgjithësi, koncepti i identitetit është i lidhur përveç tjerash edhe me idenë e kufijve, me konkretisht, identitetet janë të kufizuara në atë që ato i japin jo vetëm një ndjenjë të njëjtë individit dhe shoqërisë, por njëkohësisht bëjnë edhe diferencën dhe dallueshmërinë nga të tjerët.
Në përgjithësi identitetet janë krijuar nga shumë procese dinamike, relacionale dhe të negociuar në mjediset shoqërore. Identitetet ndryshojnë për nga rëndësia e tyre. Hulumtimet shkencore të tanishme tregojnë se identitetet janë ndërtuar, do të thotë se ato janë krijuar, formuar dhe formuluar, nga individët si aktorë socialë, nga grupet dhe mjediset e ndryshme sociale etj. Është e kuptuar që identitetet janë të shumta. Një individ i dhënë, mund të ketë një shumëllojshmëri të identiteteve, të cilat mund të ndërpriten, të mbivendosen, të konfliktualizohen dhe të përplasen.
Në këtë drejtim lindin shumë pyetje dhe përkufizime, se çka realisht paraqet nocioni identitet dhe ku dallon identiteti individual dhe ai kolektiv?
Sa i përket identiteti kolektiv fillimisht duhet thënë se ai përbënë një përkufizim interaktiv të ndërtuar nga disa individë të cilët bashkëveprojmë ndërmjet vete dhe njëkohësisht janë të shqetësuar për bindjet, orientimet dhe veprimit, e tyre. Lidhja ne forume; aktivizimi i marrëdhënieve ndërmjet pjesëmarrësve, investimet emocionale; njohja emocionale në mes të individëve, grupimet politike etj. përbëjnë format reale të identitetit kolektiv. Identiteti kolektiv shërben si një mjet i dobishëm analitik për të shpjeguar lëvizjet sociale. Roli i tij nuk ndërlidhet vetëm me proceset brenda sistemit të veprimit kolektiv, apo si modele të udhëheqjes, ideologjitë, apo metodat e komunikimit, të cilat rëndom e karakterizojnë fuqinë e kolektivitetit.
Por, rëndësia e identitetit kolektiv qëndron edhe në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme me aleatët dhe konkurrentët të cilët formojnë tërësinë kolektive. Tërësia kolektive ndihmon për të kuptuar më mirë zhvillimin e veprimit modern të grupit shoqëror. Ajo i bënë grupet kolektive si grupe sistematike dhe jo si subjekte të nënshtruara ndaj ideologjive. Në përgjithësi identiteti kolektiv vendos vlera të përbashkëta për grupet e caktuara shoqërore.
Konceptet marksiste mbi ndarjen klasore të shoqërisë mund të konsiderohen si një bazë e identitetit kolektiv. Identiteti i klasës shoqërore ishte i lidhur me vlerat dhe interesat e saj, duke përfshirë këtu edhe konceptin e solidaritetit. Kjo ide e solidaritetit është e ndarë nga Durkheimi, i cili argumenton se identiteti kolektiv ndihmon në krijimin e obligacioneve midis individëve nëpërmjet moralit dhe qëllimeve të përbashkëta. Ndërsa, Max Weber sugjeron se klasa shoqërore, statusi, dhe grupimi politik, janë tri forma konkrete të burimit të identitetit kolektiv.
Identiteti kolektiv luan një rol të rëndësishëm nga se është një faktor përcaktues në rolin e shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kërkesa e identitetit kolektiv për të shpjeguar dhe përshkruar sistemin ndërkombëtar është baza e konstruktimit të shoqërisë.
Identiteti kolektiv është përgjithësisht i njohur si një katalizator i madh për ndryshim shoqëror gjatë gjithë historisë. Ky koncept manifestohet si një ndjenjë e përbashkët e grupit shoqëror ku qëllimet e përbashkëta rrjedhin pjesërisht nga kuptimi i përbashkët i identitetit të grupit dhe kontribuon në mënyrë rrethore, të detyrueshme dhe të përforcuar, në solidaritetin e grupit.
Për më tepër identitetet kolektive përfshijnë lëvizjet ideologjikisht të ndryshme, si: revolucioni bolshevik; rritja naziste dhe imperial fashizmit japoneze; lëvizjet e shumta pas Luftës së Dytë Botërore për pavarësi koloniale; të drejtat civile, feministe; rritja e ekonomisë japoneze dhe lëvizjet e shumta dhe të ndryshme të përfshira në konfliktet në Lindjen e Mesme gjatë gjithë shekullit XX, dhe veçanërisht që prej Luftës së Dytë Botërore.
Shumëllojshmëria e këtyre shembujve tregon se identitetet kolektive mund të rrisin së bashku faktorë të ndryshëm apo të bëjnë kombinim të faktorëve, duke përfshirë klasën, racën, etninë, lidhjet indigjene të vendit, qëndrimin e përbashkët si subjekte të shtypjes, gjinisë, orientimit seksual, krenarisë kombëtare, apo të fesë. Përveç këtyre faktorëve, idetë dhe qëllimet specifike janë shpesh të rëndësishme për ndonjë identitet të caktuar kolektiv. Për shembull, idetë dhe qëllimet zakonisht shërbejnë si bazë për veprimin e përbashkët të OJQ-ve apo organizatave bamirëse ndërkombëtare, anëtarët e të cilave pastaj mund të fillojnë të identifikohen si një kolektiv me sensin e tyre të përbashkët për realizimin e ideve, qëllimeve dhe për përmbushjen e misionit të organizatës, etj.
Këto tipare karakteristike bëjnë që identiteti kolektiv të ndryshoj nga identiteti individuale.
Ngase, identiteti individual është vetë-identifikimi i individit “Kush jam unë”! Identiteti individual është i përbërë përgjithësisht nga tipare individuale unike të vetë individit, si pamja fizike dhe atributet tjera të personalitetit. Ndërsa, identiteti kolektiv në të kundërt përbëhet nga kategoritë dhe rolet që vijnë nga shoqëria në të cilën ka lindur dhe vepron individi. Kjo do të thotë se identiteti individual është vetë-përcaktuar, ndërsa identiteti kolektiv është tjetër-përcaktuar. Identiteti kolektiv është i lidhur me shumë faktorë që dalin nga bashkëveprimet e individëve në një shoqëri, të tilla si: familja, klasa shoqërore, historia klanor, punësim, dhe reputacioni politik shoqëror etj.
Në kulturën post-moderne të shoqërisë perëndimore, identiteti individual është menduar shpesh si një burim i origjinalitetit, është perceptuar si diçka thelbësore i vetë qenies njerëzore dhe si i tillë i vetëmjaftueshëm për ekzistencën individuale të njeriut. Por, megjithatë disa mendimtarë, të tillë si “Frantz Fanon dhe Charles Taylor, argumentojnë se individët shpesh e kanë përvetësuar identitetin e tyre të imponuara nga kolektivi, duke e ngatërruar identitetin kolektiv "jo autentikë" për "autentikë" kjo ka bërë që identiteti individual në shumë aspekte ta humbë origjinalitetin dhe vetëmjaftueshmërinë e tij.
Përfundimisht duhet thënë se identiteti kolektiv ka të bëjë me përkufizimin e grupit dhe është ajo që na bënë që ne të jemi si krijesa shoqërore. Ekziston një dëshirë e madhe shumë e thellë ontologjike tek njerëzit që të ndjehen të plotë, kjo ndjenjë manifestohet tek njerëzit si një dëshirë që ata të bëhen pjesë e diçkaje që është më e madh se sa vetvetja e tyre për të marrë pjesë pastaj në mënyrë aktive në jetën e këtij entiteti supra-individual.
Për këtë arsye kuptimi dhe domethënia e identiteti është relative për faktin se identiteti në këtë mënyrë nënkupton krahasimin, kontrastin dhe kufijtë individual dhe shoqëror. Si p.sh përkufizimi i një grupi kombëtarë, religjioz, etnik, racor, apo ndonjë tjetër, nuk ka kuptim nëse nuk ka grupe të tjera përreth. Një grup shoqëror do të bëhet një identitet në vete vetëm në atë rast kur krahasohen karakteristikat e përbashkëta me grupet tjera. Kjo ka bërë që identitetet të jenë të negociuara, të kontestuara dhe të përjashtuara. Përfundimisht këto rrethana kanë ndikuar që identiteti të mbetet një koncept i cili mund të operacionalizohet në mënyra të ndryshme për studimet empirike, prandaj me të drejtë kjo çështje përbënë sfidën më të vështirë në mesin e sfidave tjera me të cilat përballet aktualisht shoqëria moderne në nivel global.


















































