Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një takim me Brendan Hanrahan, zyrtar i Lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Në fokus të takimit ishin zhvillimet politike në vend dhe rajon, si dhe përpjekjet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Krasniqi ka ritheksuar përkushtimin e PDK-së për ndërtimin e një klime politike të qëndrueshme, funksionalitet institucional dhe orientimin drejt zgjidhjeve që i shërbejnë qytetarëve. Ai theksoi nevojën për një stabilitet të qëndrueshëm, zhvillim ekonomik dhe integrim ndërkombëtar të Kosovës.

“Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë. Mbështetja amerikane për aspiratat tona euroatlantike është e pazëvendësueshme”, tha Krasniqi pas takimit.

Kreu i PDK-së dhe zyrtari amerikan diskutuan edhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

Ai vlerësoi rolin vendimtar të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara mbeten aleati ynë më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm. Kosova është, dhe do të mbetet, një partnere e palëkundur e tyre”, përfundoi Krasniqi.