Kreyparlamentari Krasniqi kërkon që deputetët e Kuvendit të Kosovës të trajtohen sikurse deputetët zviceran.

“Unë po kërkoj nga Komisioni për Legjislacion që ka në shqyrtim ligjin për përgjegjësitë dhe privilegjet e deputetëve, ndoshta është mirë të rishikojnë një tip zviceran të deputetëve, i cili deputeti ka një pagë të caktuar, por nëse e ka pagën e caktuar deputeti, nëse është dikund tjetër dhe e ruan vendin e punës të merr shtesë për të ju bërë paga e deputetit nëse e ka pagën më të ultë se deputetit”, ka theksuar Krasniqi, transmeton RTK.


Ai ka shtuar se deputetët që po kanë shumë detyra, shumë angazhime, nuk po mund të përmbushin detyrat dhe obligimet që i kanë në raport me Kuvendin.

“Mendoj se kjo çështje duhet të trajtohet seriozisht. Do të thotë deputetët nuk kanë të drejt të gëzojnë vetëm privilegje, deputetët para se gjithash kanë përgjegjësi dhe përgjegjësitë ku votohet me qenë shumica në parlament ose po e bëjmë që mëditjet dhe shtesat që i marrin deputetët pse janë deputetët dhe janë në seancë ose në komisione le të bëhet regjistrimi i tyre dhe ata që nuk janë prezent në seancë nuk votojnë t‘i humbin shtesën që e kanë. Përndryshe po vazhdojmë me pak përgjegjësinë e deputetëve dhe disi duhet të ndëshkohet kjo papërgjegjësi”, ka theksuar ai.

Këto komente i bëri ai kur është dashur të votohet për rekomandimet për rastin “Kiçina”, ku më pas janë hequr nga rendi i ditës, që ka ardhur si kërkesë e Grupit Parlamentar të PDK-së. /Telegrafi/