KQZ nis nesër dërgimin e fletëvotimeve për votimin me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të dielën më 14.12.2025, do të nisë dërgimi i pakove me fletëvotime për votimin me postë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të datës 28.12.2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se dërgimi do të nisë në ora 10:45.
“Ju njoftoj se gjatë ditës së nesërme (e diel, 14 dhjetor 2025, ora 10:45) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes operatorit ekonomik, do të nisë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka bërë të ditur Elezi më 13.12.2025.
Sipas të dhënave nga KQZ, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2,076,290 votues.
Sipas të dhënave nga lista votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 1,999,205 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77,085 votues. Kjo listë përmban 7,192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën më 12 tetor 2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.









































